Më 3 shkurt përkujtohet Shën Vlashi. Sipas traditës, ka qenë ipeshkëv i Sebastes,
në Armeni, gjatë paqes konstantiniane. U martirizua në vitin 316. Meqë pati shëruar
për mrekulli një fëmijë, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku, thirret
në ndihmë për sëmundjet e fytit. Për këtë arsye behet edhe bekimi i fytit me dy qirinjtë
e kryqëzuar.
Më 4 shkurt përkujtohet shën Eustaku. Këtë martir romak
e dënuan të rrinte pa fjetur e pa ngrënë për një kohë të gjatë dhe në fund e hodhën
në një humnerë, për shkak të fesë në Krishtin. Me forcën e fesë duroi të gjitha torturat
e tmerreshme dhe i dha dëshmi Zotit të vërtetë.
Më 5 shkurt përkujtohet
shën Agata (Agia, Agatina, Agetina). U lind në fillim të shekullit III në Sicili,
në një familje të krishterë të kamur. Në moshën 15 vjeçare shprehu dëshirën për t'iu
kushtuar Hyjit. Ipeshkvi i Katanjes ia pranoi kërkesën dhe i dorëzoi velin e kuq,
që mbanin virgjërat e shuguruara. Zëvëndëskonsulli i Katanjes, Kuinciani, kur e pa,
iu morën mendtë pas saj, prandaj, duke u mbështetur në ediktin e përndjekjes së të
krishterëve, e paditi për fyerje të fesë shtetërore dhe urdhëroi ta sillnin në pallatin
e pretorit. Orvatjet e tij për ta joshur Agatën nuk patën asnjë sulses. I tërbuar
kundër saj, Kuinciani kurdisi një gjyq, gjatë të cilit e torturuan martiren, por ajo
qëndroi fort, e mbështetur në fe. Në kulmin e tërbimit, zëvëndëskonsulli urdhëroi
t'i prisnin gjinjtë me darë, por vashëza, pas një vegimi, u shërua menjëherë. Urdhëroi
ta digjnin dhe kur e vunë mbi prush, ra një tërmet. E hoqën nga prushi dhe, pas pak
orësh, vdiq në qeli. Ishte viti 251.
Më 6 shkurt përkujtohen Shën
Pal Miki me shokët martirë. Pal Miki u lind në një familje të pasur, në Kioto të Japonisë,
në vitin 1556. U pagëzua në moshën 5 vjeçare dhe në moshën 22 vjeçare u bë rishtar
jezuit, rregulltari i parë katolik i Japonisë. Udhëtoi disa herë përgjatë Japonisë,
duke predikuar, por i njëjti perandor, që e pati lejuar fenë e krishterë, e andaloi
atë. Si rrjedhojë e kësaj politike të re, Pal Miki u arrestua dhe u gjet në burg me
tre jezuitë të tjerë, me gjashtë françeskanë misionarë dhe 17 japonezë anëtarë të
Urdhrit të Tretë Françeskan. Të gjithë u dënuan me kryqëzim, në afërsi të Nagasakit.
Më
7 shkurt përkujtohet Shën Piu IX. Gjatë papnimit të tij, pavarësisht nga rrethanat
dramatike të politikës së asaj kohe, nuk la kurrë pas dore detyrimet shpirtërore,
i vetëdijshëm pë përgjegjësitë që kishte para Hyjit e para Kishës. U dha hov misioneve
në Azi e në Afrikë, shpalli dogmën e Zojës së Papërlyer dhe hapi Koncilin I të Vatikanit.
Më
8 shkurt përkujtohet Shën Bakhita. U lind në vitin 1869 në Sudan, ku u rrëmbye,
në moshën 6 vjeçare, dhe u shit disa herë. Rrëmbyesit i vunë emrin Bakhita (Fatbardha).
Në vitin 1882 e bleu, në Kartum, konsulli Italian Calisto Legnani, me të cilin shkoi
në Itali, ku u bë kujdestarja e vajzës së familjes Mikieli. Njeh motrat kanosiane,
bëhet e krishterë dhe i kushtohet si rregulltare Hyjit, që i kishte dhënë shumë prova
të dashurisë së tij.