2014-02-01 16:03:19

Françesku, Lëvizjes Neokatekumenale: ju falënderoj për çka bëni në Kishë e në botë


Ta çojnë edhe në mjediset më të shkristianizuara, posaçërisht në periferitë ekzistenciale, Ungjillin e Jezu Krishtit”. Ky është mandati i Papës Françesku për qindra familje të Lëvizjes Neokatekumenale, që përgatiten të nisen në mision. Mijëra vetëve, mbledhur sot në Sallën e Palit VI, Papa u kërkoi të jenë lajmëtarë të mirësisë e të mëshirës së pakufishme të Atit. RealAudioMP3

Një det fytyrash, të reja e shumë të reja. E ndërmjet tyre, si në një rreth unaze, guri i çmuar i më se 400 familjeve që, së shpejti, do të nisen në mision; nëna, baballarë e fëmijë, të gatshëm t’i lënë rrënjët e tyre, për t’i mbartur e për t’i mbjellur rrënjët e Ungjillit në skajet më të largëta të botës. Posaçërisht në Kinë e në Indi. Reagimi i parë i Papës Françesku ndaj sallës së mbushur përplot me anëtarë të Lëvizjes Neokatekumenale, që e priti me një ngohtësi të jashtëzakonshme, ishte një fjalë falënderimi. Ndërmjet meshtarëve e ipeshkvijtë të shumtë, në sallë spikasnin kësulat e kuqe të kardinajve, por vëmendjen e Papës e tërhoqën kryesisht familjet, sidomos ato misionare, që iu paraqiten Atit të Shenjtë nga nismëtari i Lëvizjes, Kiko Arguello(Arguejo):
“Një përshëndetje plot përzemërsi u drejtoj fëmijëve, të pranishëm me shumicë. Mendimi im shkon posaçërisht tek familjet, që do të nisen drejt katër anëve të botës për ta kumtuar e për ta dëshmuar Ungjillin. Kisha ju shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bujarinë tuaj! Ju falënderoj për gjithçka bëni në Kishë e në botë”.
Më pas, siç ngjet në prag të çdo misioni, falënderimet për ata që nisen, u shoqëruan edhe me porosi, në mënyrë që ta kryejnë sa më mirë punën, qysh në fillim. Së pari Papa u kërkoi neokatekumenalëve ta krijojnë e ta ruajnë bashkimim brenda Kishave të veçanta, drejt të cilave po shkojnë:
Kjo do të thotë ta dëgjosh zërin e Kishës, kah e cila po ju nisin drejtuesit tuaj, t’ia vlerësoni pasuritë, të vuani për shkak të ligështive, po të jetë nevoja, e të ecni me të njëjtin hap, si një grigjë e vetme, të prirë nga barinjtë e Kishave vendase. Bashkimi është themelor; nga një herë është më mirë të hiqni dorë nga ndonjë hollësi e udhës juaj, për të garantuar bashkimin ndërmjet vëllezërve, që formojnë një bashkësi të vetme kishtare, pjesë e së cilës duhet ta ndjeni gjithnjë veten”.
Bashkim shpirtëror, pra, por edhe vëmendje ndaj rrethanave kulturore. Papa Françesku kujtoi se nuk ekziston veprimtari misionare, që nuk paraprihet nga veprimi i Zotit, edhe në viset më të largëta, edhe në kulturat më të ndryshme:
Bëhet fjalë për një ambient që shpesh herë është shumë më i ndryshëm, sesa ky, të cilit i përkisni. Shumë prej jush do të mundohen të mësojnë gjuhën e vendit, nganjëherë tejet e vështirë, e kjo përpjekje është për t’u vlerësuar. Edhe më i rëndësishëm do të jetë impenjimi juaj ‘për të mësuar’ kulturat, që do të takoni, duke ditur ta dalloni nevojën për Ungjillin, i cili është i pranishëm kudo, por edhe atë veprim, që Shpirti Shenjt ka kryer në jetën e në historinë e çdo populli”.
Neokatekumenalja, vërejti në vijim Papa, është lëvizje kërkuese: kërkon që çdo anëtar të respektohet me durim e mëshirë, edhe në rastin kur, nënvizoi, vendos të kërkojë, jashtë lëvizjes, forma të tjera të jetës së krishterë, që e ndihmojnë t’i japë përgjigjen e duhur thirrjes së Zotit. Kjo është shenjë e pjekurisë, përfundoi Papa, e pjekurisë në fe, të cilën e fiton pikërisht kush është gati të lërë gjithçka, për të ndjekur Krishtin:
“Të dashura familje, të dashur vëllezër e motra, ju jap zemër ta çoni kudo, edhe në mjediset më të shkristianizuara, posaçërisht në periferitë ekzistenciale, në skutat e jetës, Ungjillin e Jezu Krishtit! Ungjillëzoni me dashuri, çojani të gjithëve dashurinë e Zotit! Thojuni të gjithë atyre, që do të takoni rrugëve të misionit tuaj, se Zoti e do njeriun ashtu siç është, edhe me kufizimet tij, me gabimet e tij, me mëkatet e tij. Të jini kasnecë e dëshmitarë të mirësisë së pafundme e të mëshirës së pashterrshme të Atit qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.