2014-01-31 17:15:23

Të jesh Kishë, nuk do të thotë të administrosh, por të dalësh për t’ia çuar Ungjillin botës: kështu u tha Papa ipeshkvijve austriakë


Të jesh Kishë, nuk do të thotë të administrosh, por të dalësh për t’ua çuar njerëzve gëzimin e Ungjillit: këtë pohon Papa Françesku në fjalën drejtuar ipeshkvijve të Konferencës ipeshkvnore të Austrisë, me të cilët u takua dje në Vatikan, ku ndodhen për vizitë ‘ad Limina”. Teksti, i palexuar, dorëzuar prelatëve, u botua sot.

Takim i frytshëm, e quan Papa bisedën me ipeshkvijtë austriakë. Ati i Shenjtë kujton vitet kur austriakët e shikonin plot simpati Kishën e Pasardhësin e Shën Pjetrit. E kjo u pa qartë në pritjen e përzemërt, që i bënë Benediktit XVI me rastin e vizitës në Austri, më 2007. Erdhi pastaj, pohon Papa, një fazë e vështirë, gjatë së cilës u pakësua ndjeshëm numri i katolikëve në gjirin e një popullsie tradicionalisht katolike. E kjo, për një mori arsyesh, që vijojnë të ndikojnë negativisht prej dhjetra vitesh. Një evolucion i tillë, nënvizon Françesku, nuk duhet të na gjejë duarkryq, përkundrazi, duhet të na nxisë t’i shpeshojmë përpjekjet për ungjillëzimin e ri, që është gjithnjë i nevojshëm.
Nga ana tjetër, nënvizon në fjalën e tij Papa, vërehet gatishmëri në rritje për solidaritet; Karitasi e veprat e tjera të ndihmës, vijojnë të marrin dhurata bujare. E duhet ta falënderojmë Zotin, lidhur me atë që bën Kisha në Austri për shëlbimin e besimtarëve e për të mirën e shumë njerëzve. Por nuk duhet vetëm të administrojmë atë që kemi fituar e që është në dispozicion tonë, vijon teksti, ara e Zotit duhet lëruar e mbjellur stinë më stinë, që të sjellë fryte edhe në të ardhmen. Të jesh Kishë, nuk do të thotë të mbarështosh, por të dalësh, të jesh misionar, t’u çosh njerëzve dritën e fesë e gëzimin e Ungjillit! Nuk duhet të harrojmë se impulsi i impenjimit tonë të krishterë në botë, nuk është filantropi, nuk është humanizëm i vakët, por është dhuratë e Zotit, dhanti e Atit, që na bëri bij të Tij përmes Pagëzimit. E kjo dhuratë është njëkohësisht edhe detyrë. Bijtë e Zotit nuk fshihen, përkundrazi, ia shpallin gjithë botës bijësinë e tyre hyjnore. E kjo do të thotë, thekson Papa, se duhet të impenjohen për të jetuar një jetë të shenjtë, për të mos iu nënshtruar kurrë mëkatit, me vetëdijën se Kisha ka gjithnjë nevojë për pastrim. Prej këndej, ftesa për rizbulimin e Sakramentit të mrekullueshëm të Rrëfimit, të rrëfyestores, vend ku ndjehet me gjithë fuqinë e saj, dashuria përdëllyese e Zotit, ku takojmë Krishtin, i cili na jep forcë të pendohemi e të nisim një jetë të re.
Papa, pastaj, thekson se familja është zemra e Kishës ungjillëzuese. Por, shton, për fat të keq, në kohën tonë, shikojmë se familja dhe martesa, në vendet e botës perëndimore, po kalojnë një periudhë të re krize të thellë. Globalizimi e individualizmi pasmodern, favorizojnë një stil jete, që e bën shumë të vështirë zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e lidhjeve ndërmjet njerëzve. E kjo nuk është fare e favorshme për lulëzimin e kulturës së familjes. Këtu hapet një fushë e re veprimtarie misionare për Kishën, për shembull, me grupet e familjeve, ku krijohet hapësira për marrëdhënie me njëri-tjetrin e me Zotin, ku mund të thellohet bashkimi i vërtetë, mirpritja e njëllojtë për secilin, larg mbylljes në grupe elite. Një frymë e tillë shëron plagët, ndërton ura, shkon në kërkim të të largtëve e i ndihmon të gjithë për të mbartur peshën e njëri-tjetrit (Gal 6,2). Kujdesi i Kishës për familjen, vëren në vijim Ati i Shenjtë, nis nga përgatitja e mirë dhe shoqërimi i bashkëshortëve të ardhshëm, e sidomos, nga shpjegimi i qartë i doktrinës së Kishës mbi martesën e familjen.Duke folur, më pas, për famullinë, Papa pohon se bashkësisë famullitare i prin gjithnjë famullitari, duke u mbështetur në ndihmën e bashkëpunëtorëve të ndryshëm si dhe të gjithë besimtarëve laikë. Nuk duhet të rrezikohemi ta zbehim rolin sakramentor të meshtarit. Në qytetet tona e në fshatrat tona, disa janë njerëz guximtarë, të tjerët, të ndrojtur; disa, të krishterë misionarë, të tjerë, të dremitur. E ka shumë edhe që janë në kërkim të Zotit, ndonëse nuk e pohojnë haptas. Në këto rrethana, Papa pohon se t’u çosh njerëzve mesazhin e dashurisë së Zoti e të shëlbimit të Jezusit, është detyrë e çdo të pagëzuari. E përfundon me fjalët: “Pikërisht në kohët tona, në të cilat duket se po bëhemi ‘grigjë e vogël’ (Lk 12,32), jemi të thirrur, si dishepuj të Zotit, të jetojmë jetën e një bashkësie, që është kripë e tokës e dritë e botës”.









All the contents on this site are copyrighted ©.