Raport i Unicef-it mbi kushtet e jetesës së fëmijëve në botë
Në botë ka 2,2 miliard fëmijë e adoleshentë, 31% e popullsisë globale: kushtet e jetesës
së tyre janë përmirësuar, në krahasim me 25 vjet më parë, por duhet theksuar se edhe
sot e kësaj dite, shumë vdesin nga sëmundjet, që mund të shërohen me ilaçe të rëndomta,
të cilat, megjithatë, mungojnë. Diarreja, për shembull, e polmonita. Përgjithësisht
sëmundje, që shkaktohen nga kushtet e papërshtashme higjieno-sanitare të jetesës.
Këto të dhëna i gjejmë në Raportin e Unicef-it me temë “Kushtet e jetesës së fëmijëve
në botë, shprehur me numra”. Paraqitja e Raportit, shënoi edhe hapjen e kremtimeve
me rastin e 25-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve,
miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 20 nëntor të vitit 1989. Çdo
fëmijë, që vjen në botë, është i rëndësishëm. T’i numërosh të gjithë, një për një,
i bën të dukshëm; e identifikimi krijon kushtet për t’iu përgjigjur nevojave të tyre
e për t’ua mbrojtur të drejtat, duke u impenjuar më shumë e duke kërkuar rrugë të
reja për ardhmërinë e tyre, thekson Unicef-i. Kujtojmë se Raporti, fryt i sondazheve
në 100 vende të ndryshme të botës, u realizua përmes takimit të drejtpërdrejt me një
mori familjesh, që folën me shifra e fakte, për jetën e fëmijëve të tyre.