Papa: nëse humbasim kuptimin e Zotit, edhe mëkati më i shëmtuar duket vogëlsi
“Kur mungon prania e Zotit ndërmjet njerëzve, humbet kuptimi i mëkatit, e kështu mund
të ndodhë t’i bëjmë të tjerët të paguajnë çmimin e mediokritetit tonë të krishterë.
E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e
Shën Martës. T’i lypim Zotit hirin të mos na meket kurrë prania e Mbretërisë së Tij,
ishte porosia kryesore e Papës.
Një mëkat i
rëndë, siç është për shembull shkelja e kurorës, shikohet thjesht si problem për t’u
zgjidhur. Këtë rrugë, treguar në Leximin e parë të Liturgjisë së sotme zgjedh Davidi
mbret. E Papa e përdori si pasqyrë, për të vënë para saj ndërgjegjen e gjithë të krishterëve.
Davidi joshet nga Betsabeja, gruaja e Urisë, gjeneral i tij. E merr gruan, nësa të
shoqin e nis në vijën e parë të betejës, që të gjejë vdekjen. E vërtet, Uria vritet.
E Davidi mëkaton rëndë, duke kryer, kështu, një vrasje me paramendim. Bën pra, një
mëkat mortar, por nuk e ndjen fare se ka mëkatuar, sqaroi Papa, e as që i shkon nëpër
mend të lypë falje. Çka e shqetëson, është si ta zgjidhë këtë problem kaq të mprehtë,
pa i hyrë ferrë në këmbë: “Të gjithëve mund të na ndodhë kjo gjë. Të gjithë
jemi mëkatarë e të gjithë të tunduar e tundimi është buka jonë e përditshme. Nëse
ndokush do të më thoshte: ‘Jooo, unë nuk jam tunduar kurrë!’, ose është kerubin, ose
paksi i krisur, apo jo? Kuptohet… Është normale në jetë lufta e djalli nuk rri duarkryq,
lufton për të arritur fitoren. Por problemi, problemi më i rëndë që vërejmë në këtë
fragment, nuk është tundimi, e as mëkati kundër Urdhërimit IX, por mënyra si vepron
Davidi. Davidi nuk flet fare për mëkatin, flet për problemin, që duhet zgjidhur. Kjo
është shenja. Kur mbretëria e Zotit mungon, kur Mbretëria e Zotit meket, një ndër
shenjat e para është humbja e kuptimit të mëkatit”. Çdo ditë, kur themi Atynën,
ne i kërkojmë Zotit “Ardhtë Mbretëria jote!”, gjë që, kujtoi Papa, do të thotë “t’u
rritët pushteti”. Por kur humbet kuptimi i mëkatit, humbet edhe kuptimi i Mbretërisë
së Zotit e vendin e saj, nënvizoi Papa, e zë “vizioni antropologjik i mbifuqishëm”,
ai që e shtyn njeriun të mendojë se i lejohet të bëjë gjithçka: “Pushteti i
njeriut, në vend të Lumnisë së Zotit! Kjo është buka jonë e përditshme, e, prej këndej,
edhe lutja e përditshme, drejtuar Zotit: ‘Ardhtë mbretëria jote, u rritët Pushteti
yt’, sepse shëlbimi nuk vjen nga dinakëritë tona, nga dhelpëritë tona, nga veletitë
tona, nga aftësia jonë për t’i ngatërruar punët sipas dëshirës. Shëlbimi do të vijë
nga Hiri i Tënzot e nga ushtrimi i përditshëm, që bëjmë për t’u mbushur plot me këtë
hir në jetën tonë të krishterë”. Mëkati i rëndë i sotëm është se njerëzit e
kanë humbur kuptimin e mëkatit. Papa Françesku citoi një frazë të famshme të Piut
XII e, më pas, u rithkye tek Uria, njeriu që kishte vetëm një faj: gruan e bukur,
e që prandaj u çua drejt vdekjes nga vetë mbreti i tij. Uria, vijoi Papa, bëhet kështu,
simbol i të gjitha viktimave të mburrjes sonë fajtore, të parrëfyer: “Po ju
rrëfej se, kur i shikoj këto padrejtësi, këtë qëndrim mburracak njerëzor, e kur shikoj
se rrezikohem edhe vetë të ec në këtë hulli, kur rrezikohem ta humbas kuptimin e mëkatit,
më bën mirë të mendoj jo për një, por për shumë Uri të historisë, që edhe sot vuajnë
për shkak të mediokritetit tonë të krishterë, kur ne e humbasim kuptimin e mëkatit,
kur e lëmë Mbretërinë e Zotit mbas shpine. Këta janë martirë të mëkateve tona të panjohura,
të parrëfyera. Do të na bëjë mirë, sot, të lutemi për të gjithë, që Zoti të na japë
përherë hirin të mos e humbasim kuptimin e mëkatit, që Mbretëria e Zotit në ne të
mos meket. E edhe të çojmë një lule shpirtërore mbi varrin e këtyre Urive të kohëve
tona, që paguajnë shpenzimet e gostisë së njerëzve të sigurt, të krishterëve, të cilët
e ndjejnë veten të pafaj, në veprimet e tyre krejtësisht të fajtore”.