2014-01-31 17:17:50

2015-a, vit kushtuar jetës rregulltare: objektivat e veprimtaritë kryesore të tij u paraqitën sot në Vatikan


Viti 2015 do t’i kushtohet jetës rregulltare. Lajmi nuk është i ri, pasi Papa Françesku e pati njoftuar që më 29 nëntor 2013, por sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqitën objektivat dhe disa ngjarje, që do ta karakterizojnë. Folën me gazetarët, prefekti i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, kardinali Zhoao Braz de Aviz dhe, sekretari i dikasterit, imzot Hosé Rodrigez Karbalo, të ftuar nga zëdhënësi vatikanas, atë Federiko Lombardi. Gjatë konferencës, u lexuan edhe dy nota për Legjionarët e Krishtit dhe Françeskanët e Zojës së Papërlyer.RealAudioMP3
Viti i Jetës Rregulltare, apo i Jetës së Shuguruar, do të nisë në nëntor 2014 për të përfunduar në po atë muaj, një vit më vonë. Kardinali Zhoao Braz de Aviz sqaroi se ai është menduar në kuadrin e 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit e do të kujtojë udhën e bërë nga rregulltarët e murgeshat deri më sot, duke vënë në dukje edhe dobësitë e problemet, që janë hasur. Të dëgjojmë imzot Hosé Rodrigez Karbalo:
“Në jetën rregulltare ka dritë e hije. E ta pranojmë këtë, më duket ushtrim qartësie e guximi. Dritë e hije si në të gjitha realitetet, shoqërore e kishtare”.
Pikërisht Papa Françesku, gjatë takimit me eprorët e përgjithshëm në nëntorin e kaluar, kujtoi ndërlikimet e jetës së shuguruar, e cila karakterizohet si nga Hiri i Tënzot, ashtu edhe nga mëkati. Kardinali Braz de Aviz theksoi:
“Ndoshta, një nga gjërat, që po na mëson kjo kohë ‘publiciteti’ më i madh për gabimet e Kishës e të rregulltarëve, është se na ndihmon të kthehemi në kushtet e thjeshtësisë: sepse njohja e gabimeve, më duket fillimi i urtisë”.
Programi i Vitit kushtuar Jetës Rregulltare 2015 nuk është përfundimtar, por disa ngjarje janë të sigurta. Për shembull, kremtimi solemn i hapjes në Shën Pjetër, asambleja e përgjithshme e Kongregatës përkatëse, takime të ndryshme ndërkombëtare, një ekspozitë. Parashikohet publikimi i disa letrave qarkore: e para do të bëhet e njohur që pasnesër, të dielën, më 2 shkurt, më rastin e Ditës së Jetës së Shuguruar, në Festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull. Ajo do të përmbajë një sërë pyetjesh të Papës, i cili i fton rregulltarët të shkojnë “në periferitë ekzistenciale të varfërisë e të mendimit”. Në vitin 2015, pritet që Ati i Shenjtë të nënshkruajë një Kushtetutë të re Apostolike për jetën kundruese. Ndërkaq, Kongregata vatikanase po përgatit dokumente të reja për administrimin e pasurive nga ana e rregulltarëve, si edhe për autonominë e jetën e murgeshave në klauzurë të plotë.
Siç e thamë në fillim, gjatë konferencës së shtypit u paraqitën dy nota. E para ka të bëjë me Legjionarët e Krishtit, pas ngjarjeve imorale, me protagonist themeluesin, atë Marcial Maciel Degollado, të cilat sollën plagë e pasoja të rënda për jetën e strukturën e kësaj kongregate. Kardinali Braz de Aviz ftoi të ndahet figura e themeluesit nga karizma e urdhërit, ndërsa imzot Rodrigez Karbalo kujtoi se pas kapitullit të përgjithshëm të Legjionarëve, që vazhdon akoma, do të vendoset nëse ata do të kalojnë nën vartësinë e dikasterit për Jetën Rregulltare;
“Në rast se do të jetë kështu, pra, nëse do të kalojnë në kompetencë të dikasterit tonë, do të thotë se kthehen në normalitetin e një Instituti rregulltar të zakonshëm. Por ky vendim varet vetëm nga Ati i Shenjtë e sido që të jetë, do të pranohet me gatishmëri prej nesh”.
Nota e dytë ka të bëjë me Françeskanët e Zojës së Papërlyer, në kongregatën e të cilëve Selia e Shenjtë ka dërguar njeriun e vet për verifikimin e vërtetësisë së një pyetësori, në të cilin shumica e françeskanëve kërkonin ndërhyrjen e Vatikanit, siç shpjegoi imzot Rodrigez Karbalo. Nuk ka qenë ndonjë lloj “dënimi” nga ana e Selisë së Shenjtë, e cila nuk e nisi kontrollin për të zgjidhur problemin e “ritit të lashtë” të meshës, vendosur nga eprori i mëparshëm për gjithë Institutin, por ka qenë kujdesi i Vatikanit për t’u qëndruar afër vetë françeskanëve:
“Verifikimi për Françeskanët e Zojës së Papërlyer nisi pas një vizite apostolike, gjatë së cilës 74% e fretërve kërkoi, me shkrim, ndërhyrjen urgjente të Selisë së Shenjtë për të gjidhur probleme të brendshme të Institutit”.
Ndërsa, përsa i përket Vizitatorit Apostolik dërguar nga Kongregata e Jetës Rregulltare për studimin e gjendjes së instituteve të murgeshave në SHBA-të, krerët e dikasterit sqaruan se ajo do të përfundojë para fillimit të Vitit, kushtuar Jetës së Shuguruar.








All the contents on this site are copyrighted ©.