2014-01-29 14:28:47

Bota që i shkruan Papës Françesku: çdo javë, lumë letrash në Vatikan


Disa mijëra në javë. Kjo është sasia e letrave, pakove, vizatimeve dhe objekteve, që vijnë në Vatikan për Papën Françesku. Letrat, nga e gjithë bota, hapen e shfletohen nga Zyra e Korrespondencës e Papës, në Pallatin Apostolik, e cila merret edhe me letrat, që vijnë nga shqiptarët, kudo ndodhen. Shumë i shkruajnë Atit të Shenjtë për jetën e tyre, shpesh, duke i kërkuar një këshillë për zgjidhjen e problemeve; të tjerë i tregojnë tragjeditë e tyre personale, duke shpresuar të gjejnë tek Papa atë fije kashte, që nuk i lë të mbytet, derisa ta marrin veten plotësisht; ndokush i shkruan një poezi, për t’i thënë se e do fort; një tjetër i dërgon një shall të punuar me dorë, për ta mbajtur ngrohtë në këto ditë dimri. Të gjithë e dinë adresën, si të ishte ajo e fqinjit: Shtëpia e Shën Martës, Vatikan. E lumi i letrave tregon se shumë vetëve Ati i Shenjtë u duket si të ishte fqinji i tyre.RealAudioMP3
Tridhjetë thasë çdo javë nga të katër anët e planetit, zarfe e pako të çdo forme e përmase, të gjitha vërshojnë drejt korridorit të Llozhës së Tretë të Pallatit Apostolik, ku gjendet Zyra e Korrespondencës e Papës, drejtuar nga imzot Giuliano Gallorini, në mikrofonin tonë:
“Kërkesat janë sidomos thirrje për ngushëllim e lutje. Ndoshta, për shkak të çastit që po jetojmë, shumë kanë të bëjnë me vështirësi, e sidomos me sëmundje… Kërkojnë lutje për fëmijët, përshkruajnë gjendje të vështira ekonomike. Përpiqemi t’u çojmë afërsinë e Papës, i cili e ndjen vuajtjen, shqetësimin e tyre dhe u qëndron afër me lutje. Pastaj, për sa është e mundur, i ndihmojmë këta njerëz, duke ua transmetuar kërkesat zyrave përkatëse. Për shembull, kërkesat për ndihmë ekonomike u transmetohen Karitaseve dioqezane, që t’i verifikojnë e të ndërhyjnë menjëherë”.
Imzot Gallorini, motër Anna dhe dy zonja: një skuadër e vogël për një mal me letra, në gjuhë të ndryshme. E pikërisht këtu fillon përzgjedhja: fillimisht ndarja sipas gjuhës. Pastaj, letrat hapen e lexohen. Kuptohet se Papa Françesku nuk mund t’i hapë ato një për një, pasi nuk do t’i mjaftonte jeta për një punë të tillë. I takon Zyrës së Korrespondencës t’i shoshisë të gjitha kërkesat, që nga përshëndetja e thjeshtë për Atin e Shenjtë tek problemet, që kanë nevojë urgjente për zgjidhje. Por cilat janë letrat, që arrijnë në tryezën e tij të punës? Sërish imzot Gallorini:
“Janë rastet më delikate, si për shembull, rastet e ndërgjegjes. Letrës i vihet një shënim dhe u kalon sekretarëve, që ia çojnë Papës drejtpërdrejt: pa dyshim, e lexon, vë firmën e vet dhe na thotë si duhet të përgjigjemi”.
Pra, letrat e besimtarëve për Papën nuk mund të lexohen të gjitha nga Ati i Shenjtë, por të gjitha marrin përgjigje. E këtu, puna e Zyrës së Korrespondencës bëhet vërtet jo e lehtë, sepse edhe shprehja e një falenderimi për një dhuratë a për një përshëndetje, kërkon një sintoni të veçantë me stilin e Papës:
“Këto letra më shumë se me mendje, duhen lexuar me zemër; duhet ndarë me shkruesin vuajtja e tij e duhen gjetur fjalët e përshtatshme për të shprehur atë, që do vërtet të shprehë Papa: afërsinë, pjesëmarrjen… Në fund të fundit, Papa thotë gjithnjë se bariu duhet të jetojë me grigjën, me delet. Duhet ta ndjejë e ta jetojë çdo përvojë me to”.








All the contents on this site are copyrighted ©.