Mesazh i Papës për Takimin Publik të Akademive Papnore: reformat të mos jenë sa për
sy e faqe
U mblodhën sot në Romë, në Takimin e tyre XVIII Publik, Akademitë Papnore, të cilat
reflektuan mbi temën “Oculata Fides(Dëshmitar okular i fesë). Ta shohim realitetin
me sytë e Krishtit”. Në qendër të meditimeve, Enciklika “Lumen Fidei” (Drita e fesë)
dhe Thirrja Apostolike “Evangelii Gaudium” (Gëzimi i Ungjillit). Papa Françesku
u drejtoi pjesëmarrësve një mesazh, në të cilin kujton se në të dyja dokumentet e
nënshkruara prej tij, ka dashur të verë në dukje përmasën “e ndritur” të fesë dhe
lidhjen ndërmjet besimit e së vërtetës, duke i shqyrtuar këto aspekte jo thjesht me
sytë e mendjes, por me ato të zemrës, në perspektivën e dashurisë. Ati i Shenjtë
citon një pjesë të “Lumen Fidei”, me të cilën, të dashur dëgjues, ju kemi njohur gjerësisht
në rubrikën tonë të së enjtes “Çelësi i fjalëve të Kishës”. “Në ndërthurjen e fesë
me dashurinë – shkruhet në enciklikë – kuptohen njohuritë që përmban në vetvete feja,
kuptohet forca e saj bindëse, aftësia e saj për të na i shndritur hapat. Feja njeh,
kupton, sepse është e lidhur me dashurinë, sepse vetë dashuria mban një dritë brenda.
Njohuritë që vijnë nga feja janë ato, që dikohen kur pranojmë dashurinë e madhe të
Zotit, e cila na shndërron nga brenda e na jep sy të rinj për të parë realitetin”
(Lumen Fidei, 26). Duke vazhduar citimet, Ati i Shenjtë vë në dukje se e vërteta,
në kohën e sotme, pasqyrohet shpesh si e varur nga njerëzit, subjektive, e vlefshme
vetëm për jetën individuale. E vërteta e përbashkët na frikëson, sepse e ngatërrojmë
me totalitarizmin. Por, shpjegon Papa, duke u treguar teologëve udhën për hulumtime
të mëtejshme, nëse e vërteta vjen nga dashuria, nga takimi me Zotin e me të tjerët,
atëherë bëhet pasuri e përbashkët. Më pas, duke përmendur “Evangelii gaudium”,
të cilën po e paraqesim këto kohë në emisionin e së enjtes (ju kujtojmë se pasnesër
transmetojmë pjesën e gjashtë nga kjo Thirrje Apostolike), Papa Françesku ndalet në
përmasën misionare të Kishës, që shndërron dhe e bën të re çdo gjë. Në këtë shndërrim,
duhet të japin kontributin e tyre edhe Akademitë Papnore. Por reformat, tërheq vëmendjen
Ati i Shenjtë, nuk duhet të jenë sa për sy e faqe. Përqendrohuni në thelbin, në ç’është
më e bukur, më e madhe, më tërheqëse e njëkohësisht, më e nevojshme, i këshillon Papa
akademikët. “Pikërisht për të inkurajuar sa, ndërmjet studiuesve të rinj të teologjisë,
duan të japin kontributin e tyre në promovimin e në realizimin e një humanizmi të
ri të krishterë përmes punës së tyre kërkimore, - shkruan, së fundi, Papa argjentinas
– jam i lumtur t’ua jap Çmimin e Akademive Papnore, që këtë vit i kushtohet punës
kërkimore teologjike dhe studimit të veprave të shën Tomës së Akuinit, barabar, dy
studiuesve të rinj: profesorit, atë Aleksandër Klemencia, për veprën me titull “Në
Trininë Shenjte si Kishë. Në dialog me Heribert Mylen” dhe profesoreshës Maria Silva
Vakareca, për veprën “Arsyet e së rastësishmes. Urtia praktike ndërmjet Aristotelit
dhe Tomës së Akuinit”. Çmimi u dha nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, imzot Pietro
Parolin.