2014-01-26 14:39:04

Papa në Engjëllin e Tënzot: të krishterët të mos mbyllen në vathë, por të takohen me të gjithë


Të krishterët nuk duhet të mbyllen në vathë, por të nisen nga periferitë, domethënë nga të fundmit, për t’i arritur të gjithë me mëshirën e Zotit: është ftesa e Papës Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në praninë e një turme të madhe, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Mendimi i Papës shkoi edhe në Ukrainë, ku popullsia po kalon orë vërtet të vështira, pastaj, edhe tek të sëmurët nga gërbula, nësa kremtohej Dita e tyre botërore.RealAudioMP3

Misioni i Jezusit, shpjegoi Papa, duke komentuar Ungjillin e kësaj së diel, nuk nis nga Jeruzalemi, domethënë nga qendra fetare, shoqërore e politike, por nga Galileja, zonë periferike, zonë e përbuzur nga judenjtë, që e ndiqnin besnikërisht fenë e tyre, për shkak se në këto treva ishin të pranishëm popullsi të ndryshme të huaja. Prej këndej, Izaia profet e quan ‘Galileja e popujve’. Është tokë kufitare, vërejti Françesku, zonë kalimi, ku takohen njerëz me racë, kulturë e fe të ndryshme. Galileja bëhet, kështu, vend simbolik për t’ia hapur rrugën e Ungjillit mbarë popujve. Vend, nënvizoi Papa, që i ngjet botës së sotme, ku bashkëjetojnë një mori kulturash, që kanë nevojë për ballafaqim e dëshirë për takim:
Edhe ne zhytemi çdo ditë e më shumë në një ‘Galile popujsh’ e, në këto rrethana, mund edhe të frikësohemi e t’i shtrohemi tundimit për t’u mbyllur në vathë, që të ndjehemi më të sigurt, më të mbrojtur. Por Jezusi na mëson se Lajmi i Mirë, që sjell Ai, nuk i përket vetëm një pjese të njerëzimit, u duhet komunikuar të gjithëve. Është Lajm i Mirë për të gjithë ata, që e presin, por edhe për ata, që ndoshta-ndoshta nuk presin më asgjë, e nuk kanë as forcë të kërkojnë, të pyesin. Duke u nisur nga Galileja, Jezusi na mëson se askush nuk mund të përjashtohet nga shëlbimi i Zotit, madje, se Zoti dëshiron të niset pikërisht nga periferia, nga skutat, nga të fundmit, për t’i arritur, pastaj, të gjithë”.
Jezusi, vijoi Papa, na mëson metodën e mëshirës, duke na ftuar të dalim nga rehatitë tona e të marrim guximin të arrijmë në të gjitha skajet e skutat, që kanë nevojë për dritën e Ungjillit. E veç kësaj, Zoti e nis misionin e Tij jo vetëm nga një vend, që nuk është qendër, por edhe nga njerëz, që mund t’i quajmë të shtresave të ulëta:
Për të zgjedhur dishepujt e Tij të parë e apostujt e ardhshëm, nuk u drejtohet shkollave të skribëve e të doktorëve të Ligjit, por njerëzve të përvuajtur, të thjeshtë, që përgatiten me gjithë zemër për ardhjen e Mbretërisë së Zotit. Jezusi shkon e i thërret, atje ku punojnë, në breg të liqenit; janë peshkatarë. I thërret, e ata e ndjekin, menjëherë. Lënë rrjetat e shkojnë me Të: jeta e tyre bëhet një aventurë e jashtëzakonshme e mahnitëse. Të dashur miq e mikesha, Zoti vijon të thërrasë edhe sot! Kalon nëpër rrugët e jetës sonë të përditshme; na thërret të shkojmë me Të, të punojmë me Të për Mbretërinë e Tij, në ‘Galiletë e kohëve tona”.
Më pas, duke u shkëputur nga teksti, Papa shtoi:
Secili prej jush ta mendojë. Zoti kalon sot; Zoti më shikon, tani! Çfarë më thotë Zoti? E nëse ndonjëri nga ju dëgjon se Zoti i thotë ‘më ndiq’, ta marrë guximin e të shkojë me Zotin. Zoti nuk zhgënjen kurrë. Dëgjojeni në zemër tuaj nëse Zoti ju thërret për të ecur pas Tij”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi, me shqetësim të thellë, dhunën që po e trondit rëndë Ukrainën:
“Jam pranë, me lutje, në Ukrainë, posaçërisht pranë atyre, që humbën jetën këto ditë, e sidomos pranë familjeve të tyre. Uroj të hapet rruga e dialogut konstruktiv ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile e, duke shmangur rrezikun e përdorimit të dhunës, në zemrën e secilit të fitojë fryma e paqes e kërkimi i së mirës së përbashkët”.
Më pas, një mendim i Papës Françesku për Cocò Campolongo (Kokò Kampolongon), fëmijën që, pak ditë më parë, u dogj i gjallë në makinë, në Cassano allo Jonio (Kasano alo Jonio):
“Ky tërbim mbi një fëmijë të vogël, duket i pashembullt në historinë e kriminalitetit. Të lutemi me Cocò-në, që sigurisht është me Jezusin në qiell, për autorët e këtij krimi kaq të shëmtuar, që të pendohen e të kthehen në rrugën e Zotit”.
Ati i Shenjtë kujtoi edhe Ditën e sotme Botërore kushtuar të sëmurëve nga gërbula:
“Kjo sëmundje, ndonëse nuk është më aq e përhapur, për fat të keq vijon të prekë shumë njerëz, që jetojnë në kushte mjerimi. Ka rëndësi të mbahet gjallë fryma e solidaritetit me këta vëllezër e motra. I sigurojmë të gjithë për lutjen tonë; lutemi edhe për ata, që i ndihmojnë e, në mënyra të ndryshme, impenjohen për ta zhdukur këtë sëmundje”.
Një mendim tjetër i Papës. Ati i Shenjtë kujtoi edhe se këto ditë miliona njerëz, që jetojnë në Lindjen e Largët, ose të shpërndarë në të katër anët e botës, ndërmjet të cilëve kinezët, koreanët e vietnamezët, kremtojnë vitin e ri hënor:
Të gjithëve u uroj jetë plot gëzim e shpresë. Uroj edhe që etja e pashuar e zemrave të tyre për vëllazërim, të gjejë, në vatrën familjare, vendin e zgjedhur ku mund të zbulohet, të edukohet, të realizohet. Ky do të jetë një kontribut i çmuar për ndërtimin e një bote më njerëzore, në të cilën mbretëron paqja”.
Papa kujtoi edhe se dje, në Napoli, u shpall e Lume Maria Kristina e Savojës, mbretëreshë e dy Sicilive, që jetoi nga gjysma e 1800-tës:
Grua me përshpirtëri të thellë e përvujtëri të madhe, diti të marrë mbi vete vuajtjet e popullit, duke u bërë nënë e vërtetë për të varfërit. Shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë së krishterë dëshmon se jeta e mirë e Ungjillit mund të jetohet në çdo mjedis e në çdo gjendje shoqërore”.
E mendimi i Papës shkoi edhe tek popullsitë e përmbytyra të Emilies, duke i siguruar edhe ato për afërsinë edhe lutjen e tij. Së fundi, Papa përshëndeti fëmijët dhe të rinjtë e Veprimit Katolik të dioqezës së Romës, shoqëruar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të Karvanit të Paqes, që organizohet prej tyre çdo vit. Breshëri duartrokitjesh për Papën, rrethuar nga fëmijët e nga pëllumbat, simbol prekës i paqes, që rrahën flatrat nga dritarja e Pallatit Aspostolik, për të fluturuar në qiellin e kaltër të kësaj dite të ftohtë dimërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.