2014-01-26 10:49:11

Atë Spadaro: për Papën Françesku, komunikimi nuk është rutinë, është sfidë apasionuese


Afërsi, takim, dialog. Janë këto, disa nga fjalët kyçe të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e ardhshme Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që do të kremtohet më 1 maj. Dokumenti, i publikuar të enjten, në prag të festës së Pajtorit të mediave, shën Françeskut të Sales, merr si model figurën e Samaritanit të Mirë. Intervistuam për një koment, drejtorin e revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro:
Natyrisht, Papa Françesku është një papë, që e do shumë komunikimin, sepse ka një stil baritor në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Prandaj, për të, komunikim do të thotë takim. Kultura e komunikimit bie ndesh me kulturën e hedhurinave, pra me atë të ndarjes, të ndarjeve ekonomike, ideologjike… Komunikimi – e pra, takimi – janë në qendër e në zemër të këndvështrimit “bergolian” të jetës e të Kishës. Nëse duam ta përmbledhim konceptin bazë të tekstit, do të thoshim se për të komunikimi është takim, është afërsi. Kemi të bëjmë me një lloj revolucioni kopernikian të komunikimit, ku në qendër nuk është mesazhi, por njerëzit, që komunikojnë. Kjo është shumë moderne, shumë bashkohore, sepse dimë që rrjetet në internet sot, krijojnë një komunikim të përqendruar mbi marrëdhëniet. Nëse nuk ka marrëdhënie, nuk ka komunikim.
Papa na paraqet një model, që mund t’i duket krejtësisht origjinal një gazetari: atë të Samaritanit të Mirë. Pastaj thotë: “Më pëlqen ta përkufizoj këtë pushtet të komunikimit si afërsi”. Pra, afërsia është në qendër…
Afërsia është pikërisht në qendër! Imazhi i Samaritanit të Mirë është i fuqishëm e kardinali i dikurshëm Bergolio e pati përdorur edhe në vitin 2002, duke u folur komunikatorëve të Buenos Ajresit. Mesazhi është fryt i një meditimi të gjatë mbi këtë temë. E është diçka shumë e bukur që shembëlltyra ungjillore të bëhet pikë referimi për një komunikator. Samaritani i Mirë bëhet i afërt dhe shëron plagët, i ndihmon nevojtarët. Për një komunikator të krishterë, kjo do të thotë t’i japë zë, atij që nuk e ka, ta bëjë të dukshme fytyrën e të padukshmëve të shoqërisë.
Kaq shumë flet Papa për internetin, në këtë mesazh, sa disa gazeta vunë në titull “Interneti, dhuratë e Zotit”. Ati i Shenjtë nënvizon se bota dixhitale mund të jetë vend i pasur me humanitet e nuk është rrjet telash, por njerëzish…
Ky është një koncept tjetër qendror, sepse komunikimi bëhet pikësëpari ndërmjet njerëzve. Prandaj, rrjeti nuk është si rrjeti hidrik ose ai i gazit, por ndërton një ambient komunikativ. Në të vërtetë, Papa sikur na thotë se rrjeti, interneti nuk ekziston si i tillë: është jeta jonë, jemi ne, njerëzit, që hyjmë në rrjet! Jeta jonë është rrjet marrëdhëniesh. Pastaj, nëse duam, telat e kabllot na ndihmojnë të jemi më të bashkuar, të komunikojmë drejtpërdrejt, duke shembur barriera e pengesa. Kemi të bëjmë me një këndvështrim të krishterë të fuqishëm, gati profetik për rrjetin, i cili kuptohet si dhuratë e Zotit për njerëzit, sepse falë tij, njerëzit mund të bashkohen më shumë.








All the contents on this site are copyrighted ©.