2014-01-24 13:37:34

Papa pret presidentin francez Fransua Holandë


Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë presidentin e Republikës Franceze, Fransua Holandë, i cili më pas, sipas praktikës së zakonshme, u takua edhe me autoritetet e tjera të larta të Vatikanit. Në një komunikatë të vetën, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë sqaron:
“Gjatë bisedimeve të përzemërta, u vu në dukje kontributi i fesë për të mirën e përbashkët. Duke përmendur marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Francës e Selisë së Shenjtë, u theksua impenjimi i ndërsjelltë për të ruajtur dialogun e rregullt të shtetit me Kishën Katolike e për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për çështjet me interes të përbashkët. Në kontekstin e mbrojtjes dhe të promovimit të dinjitetit njerëzor, u diskutuan disa argumente aktuale, si familja, bioetika, respektimi i bashkësive fetare dhe kujdesi për vendet e kultit.
Biseda – vazhdon komunikata e Sekretarisë së Shtetit – vijoi me temat me karakter ndërkombëtar, si varfëria e zhvillimi, emigracioni dhe ambienti. Në veçanti, u fol për konfliktet në Lindjen e Mesme e në disa rajone të Afrikës, duke uruar që, në vendet e interesuara, bashkëjetesa paqësore shoqërore të rivendoset përmes dialogut e pjesëmarrjes së gjithë anëtarëve të shoqërisë, duke respektuar të drejtat e të gjithëve, sidomos të pakicave etnike e fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.