2014-01-24 13:17:32

Papa Françesku: me të tjerët të ndërtohen gjithnjë ura dialogu, jo mure mllefi


Nuk është e lehtë të dialogohet me të tjerët, posaçërisht kur hyn ndërmjet inati. Por i krishteri kërkon gjithnjë rrugën e dëgjimit e të pajtimit, zemërbutë e i përvuajtur, si Jezusi. Këtë theksoi Papa në homelinë e sotme, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Bëhem copë e thërrime, por nuk përkulem, thotë një fjalë e urtë popullore. Përkulem, për të mos u bërë copë e thërrime, këshillon urtia e krishterë. Janë dy mënyra të ndryshme për ta kuptuar jetën: e para, me ashpërsinë e saj, ngre lehtësisht mure, që pengojnë çdo lloj komunikimi ndërmjet njerëzve, duke krijuar frymë mllefi. E dyta, me butësinë e saj, synon të hedhë ura mirëkuptimi mbi greminat e mllefit, edhe pas sherreve, pas grindjeve, pas moskuptimeve. Në qendër të leximeve liturgjike, e edhe të reflektimit të Papës, ishte edhe një herë ndeshja ndërmjet Mbretit Saul e Davidit. I dyti, për një çast, ka mundësi ta vrasë të parin, por, vërejti Papa Françesku, zgjedh udhë tjetër: udhën e afrimit, udhën e sqarimit të situatës, të shpjegimit. Zgjedh udhën e dialogut, për të bërë paqe:
Për të dialoguar, duhet sjellje e butë, pa britma. Duhet menduar edhe se tjetri ka diçka më shumë se unë, e kështu mendonte Davidi; ‘Ai është i shuguruari i Zotit, është më i rëndësishëm se unë’. Përvujtëria, butësia... Për të dialoguar, duhet të sillemi ashtu siç e kujtuam në lutje, në fillim të Meshës; të bëhemi gjithçka për të gjithë. Përvujtëri, butësi, gjithçka për të gjithë e edhe – ndonëse nuk është e shkruar në Bibël - të gjithë e dimë se për t’i bërë këto gjëra, duhet të kapërdijmë shumë, të durojmë shumë. Por duhet, sepse paqja bëhet kështu: me përvujtëri, përulje, duke u përpjekur të shikosh në fytyrën e tjetrit, fytyrën e vetë Zotit”.
Të dialogosh është e vështirë, pranoi Papa Françesku. Por më mirë është të ndërtosh një urë, që të lidh me tjetrin, sesa ta lësh mllefin të bëhet mëlla. Kështu mbetemi të izoluar, e kalojmë jetën zhyt-mbyt në lëngun e hidhur të mërisë. Ndërsa i krishteri ka si model Davidin, që e mund urrejtjen me përvujtëri:
“Të sillesh përvujtërisht, do të thotë gjithnjë të bësh një urë, gjithnjë. Gjithnjë. E do të thotë, sidomos, të jesh i krishterë. Nuk është e lehtë. Është e vështirë. Po Jezusi kështu bëri: u përul deri në fund të fundit, na bëri të shohim udhën. E nuk duhet lënë të kalojë shumë kohë: kur ka ndonjë problem, sa më shpejt të jetë e mundur, në çastin më të përshtatshëm, pasi ka kaluar trazimi, duhet të nisim dialogun, sepse me kohë, muri zë e lartohet, si bari i keq, që nuk e lë grurin të rritet. E kur muret rriten, pajtimi bëhet gjithnjë më i vështirë: tepër i vështirë”.
Nuk është problem, nëse ndonjë herë ‘fluturojnë pjatat’ në familje, në bashkësi, në lagje, përsëriti Papa Françesku. Rëndësi ka të kërkohet paqja, sa më shpejt të jetë e mundur, me një fjalë, me një gjest. Më mirë një urë, sesa një mur, si ai që ndau për vjet e vjet Berlinin. Sepse edhe në zemrën tonë, kujtoi Papa Françesku, ka mundësi të ngrihet një mur, si ai i Berlinit, që na ndan me të tjerët:Unë kam frikë nga këta mure, që rriten çdo ditë e ndihmojnë mllefet. E edhe urrejtjen. Të mendojmë për djaloshin David: mund t’ia kishte marrë lehtësisht shpirtin kundërshtarit, mund ta zhdukte mbretin, por ai zgjodhi rrugën e dialogut, me përvujtëri, me butësi, me ëmbëlsi. Sot mund t’i lutemi Shën Françeskut të Sales, Doktor i ëmbëlsisë, të na nxjerrë të gjithëve hirin të ndërtojmë ura me të tjerët, kurrë mure!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.