2014-01-24 14:17:41

Papa, Gjykatës Rota Romake: drejtësia të mos jetë legalistike; pas çdo formaliteti, është njeriu


Edhe detyra gjyqësore është shërbim, që i bëhet Popullit të Zotit dhe bashkimit ndërmjet besimtarëve. Këtë pohoi Papa Françesku sot paradite, në audiencën me anëtarët e Gjykatës vatikanase, që njihet me emrin Rota Romana. Papa nënvizoi se gjykatësi kishtar nuk duhet të zbatojë një drejtësi legalistike e abstrakte, por të shikojë gjithnjë njeriun, që pret t’i mbrohet e drejta.RealAudioMP3
Papën e përshëndeti dekani i Gjykatës, imzot Pio Vito Pinto, i cili e njoftoi edhe se këtë vit Rota Romana ka përfunduar 400 çështje, më se dyfishin, në krahasim me vitet e kaluara.

Detyra e gjykatësit është diakoni e vërtetë, shërbim ndaj Popullit të Zotit, për bashkimin e plotë ndërmjet besimtarëve. Në audiencën me Rotën Romake, Papa Françesku u shpreh kështu, për të nënvizuar, më pas, se nuk ka asnjë kundërvënie ndërmjet përmasës juridike e asaj baritore në misionin kishtar. Për më tepër, shtoi, misioni i veçantë i gjykatësve të Rotës, jep një ndihmesë jo të pakët për të përballuar tematika të ngutshme baritore. Më pas Papa skicoi figurën ideale të gjykatësit kishtar, duke u nisur nga aspekti njerëzor. Përmasë, theksoi, që shprehet në gjykimin e drejtë, larg vlerësimeve personale:
“Bën pjesë edhe në pjekurinë njerëzore, aftësia për të hyrë në mendësinë e në aspiratat e ligjshme të bashkësisë, në të cilën kryhet shërbimi. Kështu gjykatësi bëhet shprehës i atij animus communitatis, që karakterizon pjesën e Popullit të Zotit, me të cilën ka punë e kështu mund të zbatojë një drejtësi, që nuk është legalistike, abstrakte, por në përkim me kërkesat e realitetit konkret”.
Si pasojë, vijoi Papa, gjykatësi nuk kënaqet me njohjen e cekët të realitetit të njerëzve, që presin gjykimin e tij, por ndjen nevojën të hyjë në thellësi të gjendjes së palëve, që gjykohen. Aspekti i dytë, pohoi më pas, është ai gjyqësor:
Përveç kërkesave të doktrinës gjyqësore dhe teologjike, në ushtrimin e detyrës së tij, gjykatësi dallohet për aftësinë profesionale, objektivitetin në gjykim, mbrojtjen e së drejtës, gjykimin e paanshëm, pa i mbajtur krah askujt. Veç kësaj, në veprimtarinë e tij, udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes të së vërtetës e i respektimit të ligjit, pa harruar delikatesën dhe sjelljen njerëzore, si bari shpirtrash”.
Aspekti i tretë, reflektoi Papa, është ai baritor. Me që detyra e gjykatësit është shprehje e zellit baritor të Papës e të ipeshkvijve, pohoi Ati i Shenjtë, atij i kërkohet jo vetëm të japë prova kompetence, por edhe të ketë shpirtin e vërtetë të shërbimit. Gjykatësi i Rotës, shtoi Françesku, është i thirrur të ecë në gjurmët e Bariut të Mirë, që kujdeset për delen e plagosur, i frymëzuar nga dhimbsuria baritore:“Jeni kryesisht barinj. Ndërsa kryeni detyrën gjyqësore, mos e harroni se jeni barinj. Pas çdo praktike, çdo qëndrimi, çdo çështjeje, janë njerëzit, që presin drejtësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.