2014-01-24 14:18:37

Kardinali Onajekan për Forumin e Davosit: nga Papa, thirrja për të vendosur në qendër të ekonomisë, dinjitetin e njeriut


Pati jehonë të madhe Mesazhi i Papës Françesku për Forumin Ekonomik të Davosit, që zhvillohet në Zvicër deri më 25 janar. Ndër 2500 pjesëmarrësit - krerë shtetesh e qeverish, por asnjë përfaqësues zyrtar shqiptar. Për Kishën Katolike, përveç kryetarit të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinalit Peter Tarkson, edhe disa prelatë të tjerë, ndër të cilët kryeipeshkvi i Abuxhës në Nigeri, kardinali Xhon Onajekan. Me telefon nga Davosi, na flet për Forumin:RealAudioMP3
Gjëja e parë që më bëri përshtypje është fakti se prof. Klaus Shvab, themelues e drejtor i përgjithshëm i krejt organizatës, në hapjen e punimeve të Forumit vendosi që kardinali Tarkson të lexonte Mesazhin e Atit të Shenjtë. Kjo do të thotë se prof. Shvab – nga mënyra si e paraqiti Atin e Shenjtë – dëshiron ta konsiderojë zë me autoritet në botën e sotme. Thirrja e Papës nuk mund të transmetohej në mënyrë më të frytshme se kjo.
Cili qe ndikimi i Mesazhit të Papës në Forum?
Disa persona, që takova, më përgëzuan, sepse Mesazhi i Atit të Shenjtë ishte i bukur dhe i qartë. Përveç kësaj, u vlerësua edhe nga krerë të tjerë fetarë, me të cilët fola. Sapo përfundoi Mesazhi, në mbyllje të sesionit, dolëm nga salla e, që atë çast, mund të lexohej në ekrane një frazë e marrë nga vetë Mesazhi: “pasuria duhet t’i shërbejë njerëzimit, jo ta sundojë”.
Papa kërkon rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë, por nënvizon edhe se barazia ndërmjet njerëzve nuk duhet të jetë vetëm ekonomike. Duhet bazuar në këndvështrimin trashendental mbi njeriun…
Papa nënvizon dy parime të rëndësishme. I pari është ai i dinjitetit të njeriut: s’ka rëndësi nëse je i pasur a i varfër, i bardhë apo i zi, çdo njeri ka dinjitetin e vet, që i vjen nga Zoti, i cili e ka krijuar njeriun sipas imazhit të Vet. Parimi i dytë, po aq interesant, është ideja e së mirës së përbashkët të njerëzimit; kjo do të thotë se nuk mund të tolerohen raste, kur dinjiteti i njeriut tjetërsohet plotësisht për shkak të urisë, të sëmundjeve e të luftrave, që shkaktojnë sa e sa dhimbje…
Ju po merrni pjesë në Forumin e Davosit, ku janë të pranishëm 2500 vetë, përgjegjës për fatet e botës. Si mendoni ju, cili është drejtimi i ardhshëm që do të marrë bota?
Duhet ta kuptojmë se ky Forum është krejtësisht i veçantë, sepse mbledh shumë njerëz: krerë shtetesh, krerë industrish të mëdha e shoqatash financiare. Sipas meje, ky Forum u krijon një rast të çmuar atyre, që “lëvizin botën”, në mënyrë që të bashkojnë idetë, por nuk ka hapësirë të mjaftueshme për përmasën fetare, shpirtërore e për vlerat etike. Megjithatë, e di se prof. Shvab është shumë i interesuar për këtë aspekt e po kërkon një mënyrë për t’i plotësuar këto mungesa. Shpresoj se, përmes kontakteve me krerët fetarë, përfshirë Selinë e Shenjtë, do të krijohet një grup i vogël brenda Forumit për promovimin e përmasës fetare e shpirtërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.