Imzot Çullikat në OKB: duhet risuar procesi i paqes në Lindjen e Mesme
“Gjeneva 2”, shpresë për Sirinë. Bisedimet izraelito-palestineze, të nevojshme për
të arritur në një paqe, që pritet prej kohësh. Para sesionit të Këshillit të Sigurimit
të OKB-së, mbledhur për të diskutuar gjendjen e përgjithshme në Lindjen e Mesme, në
veçanti atë palestineze, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në selinë e Kombeve të
Bashkuara në Nju Jork, imzot Frensis Çullikat theksoi të hënën, qëndrimin e Selisë
së Shenjtë për të dyja këto çështje. Bisedimet izraelito-palestineze, denoncoi ai,
shpesh janë përdorur thjesht për diskutime politike, pa sjellë asgjë konkrete: “Paqja
nuk është mungesë lufte, kërkon që të vendoset drejtësia për të gjithë popujt e për
të gjitha bashkësitë. Si rrjedhojë, delegacioni im e bashkon edhe një herë zërin me
të gjithë njerëzit vullnetmirë, që presin me shpresë të madhe, rifillimin e bisedimeve
të drejtpërdrejta, serioze e konkrete, në mënyrë që procesi i risuar i paqes të sjellë
perspektiva më të mira për të ardhmen”. Më pas, vëzhguesi vatikanas e hodhi
vështrimin mbi Sirinë e mbi konferencën e paqes “Gjeneva 2”. Në fjalët e tij, gjetën
jehonë reflektimet e Papës Françesku mbi kotësinë e ndeshjes me armë për zgjidhjen
e problemeve. Në emër të Selisë së Shenjtë, imzot Çullikat kërkoi armëpushimin e menjëhershëm,
kujdesin për viktimat e konfliktit brenda e jashtë Sirisë dhe mbështetjen ndërkombëtare
për rindërtimin e vendit: “Qofshin bisedimet ‘Gjeneva 2” rasti për një reflektim
të ri mbi kriteret që duhet ta bëjnë të rinisë nga e para këtë komb, lënë pre e shkatërrimit
të patregueshëm, me shumë humbje jetësh njerëzore. Urgjenca e vendosjes së paqes të
triumfojë mbi zgjidhjen e çështjeve të tjera politike e shoqërore. Ndërtimi i së ardhmes
të parashikojë forma të reja pjesëmarrjeje politike e përfaqësie, që të garantojnë
zërin e sigurinë e të gjitha grupeve, të cilat e konsiderojnë Sirinë shtëpinë e tyre”. Nuk
ka kohë për përpjekje të çfarëdoshme e për zgjidhje të çastit, nguli këmbë imzot Çullikat.
Vëzhguesi i Vatikanit vlerësoi negociatat e Këshillit të Sigurimit dhe të Gjermanisë
me Iranin për çështjen bërthamore e së fundi, ngriti zërin për gjendjen e mjeruar
të të krishterëve, të detyruar të ikin nga Lindja e Mesme për shkak të luftës në Siri,
por edhe për fondamentalizmat, që i kërcënojnë: “Do të jenë të nevojshëm dialogu
ndërfetar e pajtimi për të rivendosur ekuilibrin në pluralizmin e pasur e të ndërlikuar
të shoqërisë siriane. Selia e Shenjtë është gati të mbështesë të gjitha bashkësitë
fetare, në përpjekjet e tyre për gjetjen e rrugëve të reja të mirëkuptimit, pas këtyre
viteve të dhunës, të hakmarrjes e të armiqësisë”.