Imzot Mamberti: SHBA dhe Selia e Shenjtë duhet të bashkëpunojnë më shumë për drejtësinë
dhe paqen në botë
Tridhjetë vjet më parë, më 30 janar, Selia e Shenjtë dhe Shtetet e Bashkuara vendosnin
marrëdhëniet e plota diplomatike. Për të kremtuar këtë përvjetor, ambasada e Shteteve
të Bashkuara pranë Selisë së Shenjtë ka hapur një ekspozitë fotografike në Pallatin
e Kancelarisë, në Romë. Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe sekretari i Vatikanit
për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Dominique Mamberti. Gjoni XXIII, duke
i buzëqeshur Eisenhower-it, Pali VI, duke pritur presidentin e parë katolik Kennedy
dhe, më tej, takimet e shumta të përzemërta të Gjon Palit II me Reagan-in, të cilët
para 30 vjetësh vendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Washingtonit dhe Selisë
Apostolike. Janë disa nga shkrepjet historike të serisë fotografike në Pallatin e
Kancelarisë, në Romë. Ekspozita tregon edhe vizitat që presidentët Bush e Obama i
kanë bërë Benediktit XVI, ndërkohë që Obama do të vijë në Vatikan më 27 mars. Organizatori
i Ekspozitës, Kenneth F. Hackett, foli pikërisht për këtë takim të caktuar, në fjalimin
e tij: Me rastin e këtij tridhjetëvjetori, kremtojmë marrëdhëniet e forta dhe
pozitive, rëndësia e të cilave është theksuar së voni me vizitën e sekretarit amerikan
të Shtetit, John Kerry, në Vatikan, ku takoi Imzot Parolinin. Tani shikojmë drejt
27 marsit, kur presidenti Barack Obama do të vijë për të takuar Papën Françesku në
Vatikan. Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe Imzot Dominique Mamberti,
sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shetet, i cili shprehu një urim të veçantë:
Uroj që miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shteteve të
Bashkuara të Amerikës të bëhen gjithnjë e më të forta, në familjen e kombeve, që bota
të mund të përparojë në ndërtimin e paqes, të drejtësisë e të vëllazërisë. Mbi
domethënien dhe vlerën e kësaj ekspozite, me rastin e tridhjetëvjetorit të marrëdhënieve
SHBA-Selia e Shenjtë, Radio Vatikani pyeti Mario Mesquita-n, zëvendëskryetar i misionit
të ambasadës amerikane në Vatikan: Domethënia është kremtimi i përvjetorit të
marrëdhënieve dhe roli i Kishës në botë. Në fakt, ndër fotografitë e ekspozuara, janë
edhe Rosa Parks, Martin Luther King junior dhe shembuj të tjerë të kulturës amerikane,
që kanë vizituar Atin e Shenjtë në vite. Janë një shenjë e rëndësisë së Selisë së
Shenjtë dhe e rolit të Kishës në Shtetet e Bashkuara.