Papa Françesku: smira të mos zërë vend në zemrën tonë
Të krishterët t’ia mbyllin derën xhelozisë, smirës dhe thashethemeve, që i përçajnë
dhe i shkatërrojnë bashkësitë tona. Është thirrja, që bëri sot Papa, në meshën e mëngjesit,
në Shtëpinë e Shën Martës. Papa e shtjelloi homelinë, duke u mbështetur në leximin
e parë, që flet për fitoren e izraelitëve kundër filistejve, falë guximit të Davidit.
Gëzimi i fitores shndërrohet shpejt në trishtim e xhelozi për mbretin Saul, përballë
grave, që lavdërojnë Davidin për vrasjen e Golisë. Atëherë, “ajo fitore e madhe –
pohon Papa Françesku – fillon të bëhet disfatë në zemrën e mbretit” në të cilën gjarpëron,
siç ndodh me Kainin, “krimbi i xhelozisë dhe smirës”. Sikurse Kaini me Abelin, mbreti
vendos të vrasë Davidin. “Kështu vepron xhelozia në zemrat tona – thotë Papa – është
një trazim i mbrapshtë, i cili nuk lejon që një vëlla ose në motër të ketë diçka që
unë nuk kam”. Sauli, “në vend që të lëvdojë Hyjin, siç bënin gratë e Izraelit, për
këtë fitore, parapëlqen të mbyllet në vetvete, të hidhërohet” dhe “t’i ziejë ndjenjat
e veta në lëngun e hidhërimit”: “Xhelozia çon në vrasje. Smira çon në vrasje. Pikërisht
nëpër këtë derë, nëpër derën e smirës, hyri djalli në botë. Bibla thotë: ‘nga smira
e djallit, në botë hyri e keqja’. Xhelozia dhe smira ua hapin derën të gjitha të këqijave.
Dhe ndajnë edhe bashkësinë. Një bashkësi e krishterë, kur vuan –disa prej gjymtyrëve
– nga smira, nga xhelozia, përfundon e ndarë: njëri kundër tjetrit. Është një helm
i fortë ky. Është helmi që e gjejmë në faqet e para të Biblës, me Kainin”. Në zemrën
e një njeriu të goditur nga xhelozia dhe smira – nënvizon Papa – ndodhin dy gjëra
shumë të qarta. E para është hidhërimi: “Njeriu smirëzi, njeriu xheloz, është njeri
i hidhur: nuk di të këndojë, nuk di të lëvdojë, nuk di çfarë është gëzimi, por rri
gjithmonë duke pyetur: çfarë ka ai, që unë s’e kam?’. E kjo e çon drejt hidhërimit,
drejt hidhërimit, që përhapet në krejt bashkësinë. Këta janë mbjellësit e hidhërimit.
Dhe gjëja e dytë, që sjell xhelozia e smira, janë thashethemet. Kërko gjithmonë e
do të shohësh se përtej thashethemeve gjendet xhelozia e smira. Thashethemet e përçajnë
bashkësinë, e shkatërrojnë bashkësinë. Janë armët e djallit”. Sa bashkësi të bukura
të krishtera – tha Papa – ecnin si duhet, por pastaj tek njëri nga anëtarët ka hyrë
krimbi i xhelozisë dhe i smirës dhe, me këtë, trishtimi, ngurtësimi i zemrës dhe thashethemet.
“Kush është nën ndikimin e xhelozisë dhe smirës – theksoi Papa – vret”, siç thotë
apostulli Gjon: “Kush e urren vëllain e vet, është vrasës”. Dhe “smirëziu, njeriu
xheloz, fillon ta urrejë vëllain”. Pastaj përfundoi: “Sot, në këtë Meshë, të lutemi
për bashkësitë tona të krishtera, që kjo farë e xhelozisë të mos mbillet ndër ne,
që smira të mos zërë vend në zemrën tonë, në zemrën e bashkësive tona, dhe kështu
të mund të ecim përpara, duke lavdëruar Zotin, duke i dhënë lavdi atij, me gëzim.
Është një hir i madh, hiri për të mos rënë në trishtim, për të mos pasur ndjenja të
këqija, për të mos rënë në xhelozi e smirë”.