2014-01-23 19:16:45

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve: sonte, mbrëmësore lutjeje ekumenike në Romë


Sot, në zemër të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve (18-25janar) përfaqësuesit e konfesioneve të ndryshme të krishtera, të pranishme në Romë, u takuan, në orën 18.30, në famullinë e Martirëve të Ugandës, për t’i lypur Zotit dhuratën e bashkimit të të krishterëve, të frymëzuar nga fjalët e Letrës së Parë të Shën Palit drejtuar korintianëve: “Vallë, a qenka Krishti i ndarë?”.
Liturgjinë e kryesoi imzot Paolo Schiavon, ipeshkëv ndihmës për zonën romake të jugut, homelinë e mbajti pastori anglikan Boardman. Lëmoshët, që u mblodhën me këtë rast, do të përdoren për të ndihmuar të burgosurit e Re Bibbia-s.
Kujtojmë se Papa Françesku do ta mbyllë Tetëditshin ekumenik, të shtunën, më 25 janar, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, ku do të kryesojë kremtimin e lutjeve të dyta mbrëmësore të solemnitetit të Kthimit të Shën Palit.
Në kremtim u vërejt se sot ndjehet një farë humbjeje e shpresave, edhe për shkakun e ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Ndërsa Kishat e bashkësitë kishtare ndodhen para sfidave të përbashkëta. E këto sfida, që duhen përballuar, të kujtojnë menjëherë përqafimin, 50-vjet më parë, të Palit VI me Patrikun Atenagora. Prej këndej u nis vendimi për të shfuqizuar shkishërimin e vitit 1054, kur filloi stina e akullt ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, në pritje të një pranvere, sado të vonuar.
Pranverë, që tashmë ndjehet në ajër. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 5 janarin e kaluar, Papa Françesku njoftoi se do të marrë shkopin e shtegtarit, për të shkelur personalisht në Tokën e Shenjtë, edhe për të përkujtuar përqafimin historik, në të cilin Kishat e krishtera pranuan para gjithë botës se janë motra. Kjo frymë përshkon gjithë këtë Javë, e edhe kremtimin e sotëm, në famullinë e Martirëve të Ugandës, ku u lutën së bashku ortodoksë, përfaqësues të Patriarkanës ekumenike, të krishterë eritreas, etiopas, anglikanë, luteranë, batistë, metodistë. Lutja u bazua mbi materialin ndihmës, propozuar nga grupi ekumenik kanadez.
Qëllimi përfundimtar i lutjes, u rikujtua gjatë këtij takimi, është sigurisht bashkimi sakramentor. Por, ndonëse kjo shpresë duket e largët, për shumë arsye historike e teologjike, lutja na kërkon të lëvizim së bashku, në emër të Krishtit, si të ishin tashmë të bashkuar!









All the contents on this site are copyrighted ©.