2014-01-22 14:02:50

Thirrje e kryeipeshkvit Shevçuk në Ukrainë: ndaleni gjakderdhjen


“Në emër të Zotit, ndaleni gjakderdhjen!” Kjo është thirrja e zjarrtë e kreut të Kishës greko-katolike ukrainase, kyeipeshkvit Sviatoslav Shevçuk, pas ndeshjeve ndërmjet policisë e manifestuesve antiqeveritarë në Kiev. “Dhuna nuk është kurrë rruga për të ndërtuar një shtet të lirë e të pavarur”, shkruan kryeipeshkvi në mesazhin e ti për vendin, i cili po përjeton ditë dramatike. Imzot Shevçuk u drejtohet autoriteteve ukrainase, duke u kërkuar të dëgjojnë popullin e u kujton politikanëve përgjegjësinë e tyre për fatet e tij. Më pas, thirrja për të gjithë qytetarët e shoqatat që të protestojnë paqësisht. Kryeipeshkvi i Kievit u kërkon edhe gjykatësve ta shohin me ndërgjegje e vërtetësi çështjen e të arrestuarve gjatë ndeshjeve. Së fundi, thirrja drejtuar ipeshkvijve dhe klerit ukrainas për të vigjëluar mbi besimtarët, duke u kumtuar Ungjillin e paqes.
Ndërkaq, edhe sot, ndeshjet vazhdojnë e kanë shkaktuar dy viktima ndër protestuesit, që i kërkojnë qeverisë të rimarrë në dorë çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian, lënë mënjanë para pak kohësh për të treguar besnikërinë ndaj Rusisë. Një lojë gjeopolitike, e cila i bëri njerëzit të dalin shesheve. Gjatë tri ditëve janë arrestuar rreth 50 vetë. SHBA-të miratuan një paketë me sanksione kundër Ukrainës. Në veçanti, u tërhoqën vizat disa qytetarëve ukrainas, organizatorë të dhunës.








All the contents on this site are copyrighted ©.