2014-01-22 12:18:10

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Jezusi zbriti në ferr jo për të çliruar të dënuarit, por për të shpëtuar të drejtët


Krishti “nuk zbriti në ferr për të çliruar të dënuarit, e as për ta shkatërruar ferrin e dënimit, por për të çliruar të drejtët”. E pohon këtë Katekizmi i Kishës Katolike, në faqet kushtuar këtij aspekti të fesë së krishterë. Mbi të ndalohet reflektimi i 28-të i ciklit të jezuitit, atë Dariush Kovalçik, në 20 vjetorin e botimit të tekstit:

“Simboli i Apostujve flet për zbritjen e Krishtit në ferr. Si duhet ta kuptojmë këtë pohim? Katekizmi shpjegon se para së gjithash, kjo do të thotë se “Jezusi e provoi vdekjen, si të gjithë njerëzit” (n. 632). Zoti, pra, është deri në fund të fundit solidar me njeriun. Jezusi jo vetëm që e provoi vuajtjen e vdekjes, por edhe zbriti në botën e të vdekurve, të cilët nuk mund ta vegojnë Zotin.
Disa teologë bashkëkohorë duan të shikojnë në zbritjen e Krishtit në ferr, kulmin e kenosi, domethënë, të poshtërimit të Birit të Zotit. Mbi kryq, Jezusi vuan, por është gjithnjë aktiv, ndërsa në zbritjen në ferr, sipas tyre, Ai provon pasivitetin e plotë të vuajtjes e të vdekjes. Në këtë mënyrë i afrohet më shumë mëkatarit, për ta ‘shqetësuar’ e për ta shkëputur nga kthetrat e vetmisë së skëterrës.
Ndërsa Katekizmi ndjek mësimin tradicional të Kishës e flet për Jezusin, që zbret në ferr si Shëlbues ngadhnjimtar, për t’u kumtuar Lajmin e Mirë të vdekurve (cfr nn 632-634). Në një homeli të lashtë, flitet për Jezusin që, në ferr, i bën thirrje njeriut: “Zgjoju, o ti që fle! Nuk të krijova të rrish i burgosur në ferr. Ngjallu prej së vdekurish. Unë jam jeta e të vdekurve” (KKK 634).
Katekizmi saktëson edhe se Jezusi nuk zbriti në ferr për t’i çliruar të dënuarit, e as për ta shkatërruar ferrin e dënimit, por për të çliruar të drejtët (n.633). Hyji vepron për t’i shpëtuar të gjithë njerëzit, por jo për ta detyruar njeriun të pranojë mëshirën e tij. Kisha na mëson se njeriu, domethënë çdo krijesë e lirë, mund t’i përgjigjet ‘jo’ Zotit, me vetëdije e përfundimisht. Kështu dënimi është vetëdënim.
Paradoksalisht edhe ferri do të ishte shenjë e dashurisë së Zotit. E asaj dashurie të përvuajtur, e cila nuk e asgjëson mëkatarin, që dëshiron të ecë në rrugën e mbrapshtisë së tij, por e lë të jetojë, ashtu si deshi vetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.