2014-01-22 10:47:08

Mesazhi i Papës për Forumin e Davos-it: e papranueshme uria në botë


Dinjiteti i njeriut, ekonomia në shërbim të së mirës së përbashkët, përfshirja shoqërore, lufta kundër urisë dhe vëmendja ndaj refugjatëve: këto janë temat e mesazhit që Papa Françesku i ka dërguar Forumit ekonomik botëror, që po zhvillohet në Davos, në Zvicër, deri më 25 janar. Në dokumentin papnor, drejtuar kryetarit ekzekutiv të Forumit, Klaus Schwab (Klaus Shvab) dhe lexuar nga kryetar i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, Kardinali Turkson, Papa uron që takimi të jetë “rast për një përsiatje më të thellë mbi shkaqet e krizës ekonomike. Ja teksti i plotë i letrës së Papës:

Drejtuar Profesorit Klaus SCHWAB
Kryetar Ekzekutiv i World Economic Forum

Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën, që keni pasur mirësinë të më dërgonit, për t’iu drejtuar, me një fjalë, mbledhjes vjetore të World Economic Forum, i cili, si zakonisht, mbahet në Davos-Klosters, në fund të këtij muaji. Me besimin se mbledhja do të jetë rast i mirë për një përsiatje më të thellë rreth shkaqeve të krizës ekonomike, që ka prekur tërë botën gjatë viteve të fundit, do të doja të jepja disa mendime, me shpresën se mund ta pasurojnë debatin e Forumit dhe mund të jenë të dobishme për punimet e tij të rëndësishme.
Koha jonë është plot me ndryshime të dukshme dhe ka bërë përparime domethënëse në fusha të ndryshme, me rrjedhoja të rëndësishme për jetën e njerëzve. Në të vërtetë, “duhen lavdëruar sukseset, që ndihmojnë mirëqenien e njerëzve, për shembull në rrafshin e shëndetësisë, të edukimit dhe të komunikimit” (Evangelii gaudium, 52), si edhe në shumë fusha të ndryshme të veprimtarive njerëzore, dhe duhet pranuar roli themelor, që ka luajtur sipërmarrja moderne për këto ndryshime epokale, duke ngacmuar e duke zhvilluar burimet e pashtershme të inteligjencës njerëzore. Megjithatë, sukseset e arritura, edhe pse e kanë zbutur varfërinë për një numër të madh njerëzish, jo rrallë herë kanë shkaktuar, gjithandej, përjashtimin e disave nga shoqëria. Pjesa më e madhe e burrave dhe grave të kohës sonë vijon të jetojë ende në pasigurinë e përditshme, me rrjedhoja shpesh dramatike.
Në këtë rrafsh, dëshiroj të theksoj rëndësinë që kanë instancat e ndryshme politike dhe ekonomike për përkrahjen e qasjes përfshirëse, e cila mban parasysh dinjitetin e çdo personi njerëzor dhe të mirën e përbashkët. Bëhet fjalë për një shqetësim, që duhet t’i japë formë çdo vendimi politik dhe ekonomik, por, i cili, nganjëherë, duket vetëm si një shtesë, që shërben për të plotësuar ligjëratën. Ata që mbajnë vende drejtuese në këto rrafshe, kanë përgjegjësi të mirëfilltë për të tjerët, veçanërisht ndaj atyre që janë më të brishtë, të dobët e të pambrojtur. Nuk mund të tolerohet që mijëra njerëz të vdesin çdo ditë nga uria, edhe pse sasia e ushqimit të siguruar është e pallogaritshme dhe thjesht çohet dëm. Njëkohësisht, nuk mund të na lënë indiferentë refugjatët e shumtë në kërkim të kushteve elementare për një jetë të denjë. Ata jo vetëm nuk gjejnë mikpritje, por jo rrallë herë shkojnë drejt vdekjes, nëpër udhëtime çnjerëzore. Jam i vetëdijshëm se këto fjalë janë të forta, madje dramatike, megjithatë kanë synimin të nënvizojnë, por edhe të sfidojnë, mundësinë për të ndikuar në këtë auditor. Në fakt, ata që, me gjeninë dhe zotësinë e tyre profesionale, kanë qenë të aftë për të krijuar shpikje të reja në shërbim të mirëqenies së shumë njerëzve, mund të japin edhe një ndihmesë më shumë, duke i vënë kompetencat e veta në shërbim të atyre që janë ende në mjerim.
Nevojitet, pra, ndjenja e përtërirë, e thellë dhe e gjerë e përgjegjësisë, nga të gjitha palët. “Thirrja e sipërmarrësit është një punë e fisme, por duhet ta pyesë veten gjithmonë rreth kuptimit më të gjerë të jetës” (Evangelii gaudium, 203). Kjo ua bën të mundur shumë burrave dhe grave t’i shërbejnë më me dobi të mirës së përbashkët, për t’i bërë më të arritshme për të gjithë të mirat e kësaj bote. Megjithatë, rritja në barazi kërkon diçka më shumë se rritjen ekonomike, edhe pse ka nevojë për rritjen ekonomike. Ajo kërkon para së gjithash “vështrimin transcendent të njeriut” (Benedikti XVI, Caritas in veritate, 11), sepse “pa perspektivën e jetës së amshuar, përparimi njerëzor në këtë botë mbetet pa frymë” (po aty). Në të njëjtën kohë, ka nevojë për vendime, mekanizma dhe procese, të cilët priren drejt shpërndarjes më të barabartë të pasurive, drejt krijimit të mundësive për punë dhe drejt mbështetjes tërësore ndaj të varfërve, dhe shkojnë përtej asistencializmit të thjeshtë.
Jam i bindur se, duke u nisur nga kjo hapje ndaj transcendencës, mund të formohet një mendësi e re politike dhe sipërmarrëse, e aftë për të drejtuar të gjitha veprimet ekonomike dhe financiare, në prizmin e një etike me të vërtetë njerëzore. Bashkësia ndërkombëtare e sipërmarrësve mund të mbështetet tek shumë burra e gra krejtësisht të ndershëm dhe me integritet personal, punën e të cilëve e udhëheqin idealet e larta të drejtësisë, bujarisë dhe shqetësimit për zhvillimin e vërtetë të familjes njerëzore. Ju bëj thirrje, prandaj, të thithni nga këto burime të fuqishme morale e njerëzore dhe ta përballoni këtë sfidë me vendosmëri e largpamësi. Pa lënë në harresë, natyrisht, veçantinë shkencore e profesionale të secilit kontekst, ju kërkoj të bëni të mundur, që pasuria t’i shërbejë njerëzimit e jo ta sundojë atë.

Zoti kryetar, të dashur miq,
Me besimin se tek ky fjalim i imi i shkurtër mund të dalloni ndonjë shenjë të kujdesit tim baritor dhe një ndihmesë të vyeshme, me qëllim që veprimtaritë Tuaja të jenë më të fisme e të begata, dëshiroj të shpreh edhe një herë urimet e mia për përfundimin me sukses të takimit dhe i kërkoj Hyjit t’Ju bekojë, Ju, pjesëmarrësit në Forum, si edhe familjet e veprimtaritë Tuaja.
Vatikan, 17 janar 2014








All the contents on this site are copyrighted ©.