2014-01-22 19:20:15

Mesazh i patrikut Kirill drejtuar Konferencës "Gjeneva 2"


Në sa sot organizohej Konferenca e Paqes për Sirinë, në Motreux të Zvicrës, në prag të “Gjenevës 2”, Patriku i Moskës, Kirill, u drejtoi një mesazh pjesëmarrësve, duke u kërkuar të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i dhënë fund menjëherë e pa asnjë kusht armiqësisë, me bindjen se Siria duhet të mbetet shtet, në të cilin duhen respektuar të drejtat dhe dinjiteti i njeriut, pavarësisht nga kombësia, etnia e feja, Këtë e lexojmë në mesazh, ku nënvizohet edhe se siguria e liria fetare e të krishterëve, që jetojnë në Lindjen e Mesme, duhen siguruar njëherësh me atë të të gjithë qytetarëve të tjerë të vendit. Sipas kreut të Kishës ortodokse ruse, hapi i parë urgjent, që duhet bërë, është lirimi i të gjitha pengjeve, duke përfshirë edhe dy metropolitët ortodoksë Boulos-al Yazigi e Mar Gregorios Yohanna Ibrahim, të rrëmbyer në prill të vitit 2013, si dhe pesë rregulltaret e kuvendit greko-ortodoks të Shën Teklës në Maalula. Ndërsa Kisha ortodokse vijon të lutet e ta ndihmojë konkretisht popullin e martirizuar sirian, kërkon edhe mobilizimin e mbarë bashkësisë ndërkombëtare, për të nisur drejt viktimave të konfliktit, ndihma urgjente humanitare. Patriku Kirill u drejtohet të gjithë njerëzve vullnetmirë, duke u bërë thirrje ta ndalojnë shkallëzimin e dhunës e dorën e grupeve terroriste, të pranishme në vend. Së fundi, thirrja e fuqishme drejtuar atyre, që janë njollosur me gjak të pafajshëm civilësh, për t’u dhënë menjëherë fund krimeve, duke dëgjuar zërin e arsyes, që u flet edhe kriminelëve, pavarësisht në se janë të gatshëm ta dëgjojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.