2014-01-22 12:46:07

10 mijë shtegtarë në lutje, në Uashington, para Marrshimit për Jetën


Mëse 10 mijë vetë morën pjesë mbrëmë në lutjen e organizuar në Shenjtëroren e Zojës së Papërlyer në Uashington, në prag të Marrshimit për Jetën. Meshën e kremtoi kryeipeshkvi i Bostonit e kreu i Komisionit ipeshkvnor pro-jetës, kardinali Shon O’Mallej. Nga mesnata, besimtarët mundën të rrëfeheshin në kriptën e shenjtërores për të vazhduar me Rruzaren Shenjte, adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me lutje deri në mëngjes, kur morën pjesë në meshën e kremtuar nga kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Çarls Çaput. Më pas, Marrshimi drejt Gjykatës së Lartë, çast kulmor i edicionit të dytë të “Nëntëshes së lutjes e të pendesës”, në të cilën kanë marrë pjesë këto ditë të gjitha dioqezat amerikane. Gjithashtu, më 25 janar, në San Francisko do të zhvillohet Marrshimi i 10-të për jetën në Bregun Perëndimor.
Këtë vit, vëmendja u përqendrua në normat e reformës shëndetësore të presidentit Barak Obama, që u imponojnë punëdhënësve t’u japin punonjësve sigurime shoqërore, ku përfshihen edhe metodat kontraceptive abortive. Me një vendim befasues, më 31 dhjetor, gjykatësja kushtetuese Sonia Sotomajor e bllokoi përkohësisht këtë masë, pas ankimimit të një grupi murgeshash të Denverit, në Kolorado. Dy janë mundësitë: ose të tërhiqet pezullimi duke bërë që norma të hyjë në fuqi, ose t’i kalohet çështja Gjykatës së Lartë, e cila mund të shprehet përfundimisht pas disa muajsh. Kjo mund ta kthejë çështjen e abortit në temë të rëndësishme debati politik.








All the contents on this site are copyrighted ©.