2014-01-21 15:47:23

Në Montreux vlojnë përgatitjet për Konferencën e paqes “Gjeneva 2”. Kishat e krishtera kërkojnë armëpushim në Siri e lutje


Prag konference plot tension në Montreux të Zvicrës, ku nesër do të hapet konferenca e paqes mbi Sirinë, e ashtuquajtura “Gjeneva 2”. Diplomacia ndërkombëtare po punon për dialogun ndërmjet palëve, që duhet të çojë në zgjidhjen politike të luftës civile, e cila në tri vjet, ka shkaktuar mëse 130 mijë viktima e miliona të shpërngulur e refugjatë.
Delegacioni i regjimit të Damaskut dhe ai i opozitës, të paktën sipas organizatorëve, duhet të ulen ballë për ballë në tryezën e bisedimeve. Sigurisht, ndjehet mungesa e Iranit, i cili u ftua nga OKB-ja, që brenda 24 orësh e tërhoqi ftesën pasi Teherani nuk ka nënshkruar as rezultatet e konferencës “Gjeneva 1”, që parashikon një qeveri tranzicioni për t’i dhënë fund krizës. Kjo - arsyeja zyrtare, por dihet se pas ftesës, opozita siriane kërcënoi se nuk do të merrte pjesë në mbledhje, gjë që ndryshoi menjëherë mendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, për pjesëmarrjen e Iranit.
Ndërkaq, Kishat e krishtera në Siri u kanë bërë thirrje besimtarëve të luten për suksesin e konferencës “Gjeneva 2”. Njëkohësisht ato i kërkojnë gjithë botës e Kishave simotra të luten për fundin e luftës e të dhunës, duke uruar të bëhen hapa konkrete drejt pajtimit kombëtar.
Edhe Këshilli Botëror i Kishave, i cili mblodhi në Gjenevë rreth 30 krerë fesh, ka hartuar një dokument për t’iu dorëzuar përfaqësuesit të OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, Lidhjes Arabe dhe protagonistëve të tjerë të konferencës. Në konfliktin sirian, thuhet në të, nuk ekziston zgjidhje ushtarake. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm për të siguruar asistencën humanitare. Udha më e drejtë, nënvizon Këshilli Botëror i Kishave, është parashikimi i një procesi të plotë e gjithëpërfshirës për vendosjen e paqes e rindërtimin e Sirisë. Në hartimin e dokumentit morën pjesë përfaqësues të Vatikanit, të Kishave të Lindjes së Mesme, të Rusisë, të SHBA-ve e të kombeve të tjera evropiane: katolikë, ortodoksë, protestantë e anglikanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.