2014-01-21 13:53:13

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë (Ungjilli sipas Markut I)


Fillojmë sot leximin e Ungjillit sipas Markut. Para se të paraqesim librin e dytë të Besëlidhjes së re, duhet të sqarojmë çfarë do të thotë fjala ungjill. Gjëja e parë, që na vjen në mendje, janë katër librat në të cilët tregohen misteret themelore të jetës së Jezu Krishtit. Në të vërtetë fjala Ungjill është përdorur relativisht vonë për të treguar këto libra. Rreth vitit 160 Justini shkruan, në Apologjinë e parë, se shkrimet, që përmbajnë kujtimet e apostujve, quhen ungjij.
Duket se në kohën apostolike kanë ekzistuar copëza tregimesh rreth jetës së Jezusit, por dëshmitë e para dhe më të lashta të tregimit të plotë dhe të rregullt të zbulimit hyjnor të Jezu Krishtit, i gjejmë në katër librat e shkruar në kohën apostolike dhe të miratuar nga kisha në mënyrë solemne në Koncilin e Nikesë (Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni). Dëshminë për tregimet e tjera na e jep Luka, në fillim të Ungjillit të tij: “Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë... e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha qysh prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë...” (Lk 1,1.3). Luka i quan shkrimet rreth jetës së Krishtit thjesht “tregime”.
Nga vjen fjala ungjill, atëherë, e çfarë do të thotë? Marku e nis tregimin e ngjarjeve lidhur me Jezusin nga Nazareti me këto fjalë: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1). Por, a ka në mendje librin, kur thotë “fillimi i ungjillit”? Fjala greke ungjill është përkthim i fjalës hebraike “lajm i mirë”. Këtë togfjalësh e gjejmë tek profeti Isaia, i cili shkruan: “Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit... që sjell lajmin e mirë” (Is 52,7). Përkthimi grek i Biblës hebraike, në shekullin III para Krishtit, për togfjalëshin lajmi i mirë përdor fjalën euangelion, prej nga vjen në shqip, pas disa përshtatjesh fonetike, fjala ungjill. Pra, përkthimi më i saktë i fjalisë së parë të Ungjillit sipas Markut do të ishte: “Fillimi i lajmit të mirë të Jezu Krishtit”. Lajmin e mirë e sjell Jezu Krishti, jo Marku. Në të vërtetë Jezusi e fillon predikimin e tij, pas pagëzimit dhe pas burgosjes së Gjon Pagëzorit, me këto fjalë: “Koha u plotësua e mbretëria e Hyjit është afër. Kthehuni e besoni ungjillit (lajmit të mirë)” (Mk 1,15), dhe Marku thotë: “Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile e atje predikonte ungjillin (lajmin e mirë)” (Mk 1,14). Ungjilli, pra, lajmi i mirë, nuk është pikë së pari libri, por ajo që Krishti ka ardhur për të shpallur e për të realizuar mes njerëzve. Por libri është njëra nga format më të larta me të cilat Kisha ruan kujtesën e lajmit të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.