Bashkimi i të Krishterëve. Imzot Spiteris: paria e Papës dhe sinodaliteti, temat më
të rëndësishme me ortodoksët
Si rrinë bashkë paria e Pjetrit dhe “sinodaliteti”. Kjo është njëra ndër pikat më
të spikatura të ballafaqimit ndërmjet teologëve katolikë e ortodoksë dhe gjithashtu
njëra nga pikat më delikate të gjithë dialogut ekumenik ndërmjet dy kishave. E pohoi
kryeipeshkvi i Korfuzit, Imzot Spiteris, anëtar i Komisionit të përbashkët teologjik
për dialogun katoliko-ortodoks, që, gjatë këtyre ditëve të lutjes për javën kushtuar
bashkimit të të krishterëve, është në kulmin e punës.
Dialogu
me ortodoksët ka sjellë si fryt jo zbulimin e sinodalitetit – se sinodaliteti nuk
mund të injorohet, është brenda vetë strukturës së Kishës, e ka dashur Zoti ynë –
por kërkimin e institucioneve, që bëjnë të mundur ta jetojmë sinodalitetin në harmoni
me parinë e Papës. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë. Duhet gjetur mënyra dhe, sigurisht,
kjo është ajo që Papa dhe ipeshkvijtë dëshirojnë: bashkëjetesën e parisë së Pjetrit
me një organ sinodal të përhershëm, i cili nuk është vetëm një organ sinodal – sinodi
i ipeshkvijve, që mblidhet nganjëherë i i jep ndonjë këshillë Papës – por një sinodalitet
faktik, veprues, që, bashkë me ipeshkvin e Romës, merr vendime për mbarë Kishën, në
mënyrë të zakonshme. Pra, duhet gjetur mënyra. Nuk është e thjeshtë, por tema qendrore
e takimeve të fundit me Komisionin e përbashkët është pikërisht ajo e parisë dhe sinodalitetit.
Një tekst e kemi tashmë gati. Komisioni pritet ta miratojë në tërësi, në mbledhjen
që do të mbahet më 15-23 shtator të këtij viti në Novi Sad, në Serbi. Shpresojmë se
do t’ia dalim të kemi një tekst që do të ndihmojë edhe Kishat. Ju flisni
për vështirësitë e ecjes ekumenike dhe, për t’i tejkaluar, Papa na kujton rëndësinë
e lutjes... Po, ka vështirësi, por ka edhe gjëra shumë të bukura. Koncili
II i Vatikanit, në dokumentin Ut unum sint, flet për dëlirjen e kujtesës historike.
Mendoj se problemi është pesha e së shkuarës, që ndikon edhe sot e kësaj dite, më
shumë sesa problemet e vërteta dogmatike. Tek e fundit, është gjithmonë e vërtetë:
ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Kemi nevojë për kthimin
e zemrës, të ndërrojmë mendësi, për ta pranuar tjetrin edhe si të ndryshëm. Ndryshimet
nuk janë kundërshtuese, por plotësuese. Këtë e përsërisim shpesh. E këtu, në Greqi,
duhet të them se Papa Françesku ngjall shumë simpati. Gati çdo ditë gazetat flasin
për të. Kjo është një gjë pozitive: është duke u ndryshuar mendësia, mënyra për ta
parë tjetrin. Besoj se Shpirti i Shenjtë është duke punuar. Nuk duhet të na lëshojë
zemra.