2014-01-20 14:36:42

Papa, Inspektoratit të Policisë në Vatikan: besimtarët e dinë se mund të kenë besim tek ju


Vigjilencë, mirësjellje e përkushtim: sipas Papës Françesku, këto janë karakteristikat e personelit të Inspektoratit të Policisë pranë Vatikanit, të cilin e priti sot në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Besimtarët e shtegtarët, që vijnë në Sheshin e Shën Pjetrit, u tha Ati i Shenjtë punonjësve të rendit, e dinë se mund të kenë besim të plotë tek ju. Papa Bergolio, duke u uruar Vitin e Ri që sapo ka filluar, i falenderoi për impenjimin e tyre të përditshëm, sidomos në kohë fluksi më të madh shtegtarësh, që vijnë për t’u lutur në Varrin e Shën Pjetrit, ose në atë të papëve paraardhës, si Gjoni XXIII apo Gjon Pali II:RealAudioMP3
“…në të ftohtë e në vapë, në kohë me shi e me erë, gjithmonë! E kjo ka shumë rëndësi! Të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet të veprojmë që të ruhet veçoria e këtij vendi, të ruhen tiparet e kësaj hapësire të shenjtë e universale”.
Prania e punonjësve të rendit i bën njerëzit më të qetë. Kështu, mund të shijojnë më mirë çastet e lutjes e të kundrimit në Bazilikën e Vatikanit e në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Puna juaj kërkon përgatitje teknike e profesionale, si edhe vigjilencë plot kujdes, mirësjellje e përkushtim. Shtegtarët dhe turistët, por edhe të gjithë ata, që punojnë në zyrat e ndryshme të Selisë së Shenjtë, e dinë se mund të kenë besim në ndihmën tuaj të përzemërt”.
Së fundi, Papa Françesku uroi që punonjësit e Inspektoratit ta shfrytëzojnë kohën e shërbimit pranë Vatikanit, për t’u rritur në fe. “Feja – u tha Ati i Shenjtë – është thesari më i çmuar, që ju kanë lënë prindërit e që ju duhet t’ua transmetoni fëmijëve”:
“Është e rëndësishme të rizbuloni mesazhin e Ungjillit e ta pranoni në thellësinë e zemrës e në jetën e përditshme, duke dëshmuar me guxim dashurinë e Zotit në çdo ambient, edhe në punë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.