2014-01-20 18:07:30

Krishtlindja, në kryevepra proze. Atë Silvano Fausti SJ: "Me duar bosh"(Emisioni XXV)


Në emisionin XXV rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, sot do të shfletojmë së bashku një rrëfenjë të shkurtër, por shumë simbolike për një botë, si kjo jona, ku flitet gjithnjë më shumë për njerëz duarbosh, në kërkim të një bote më të mirë. E titulluar “Me duar bosh”, është fryt i pendës së rregulltarit jezuit italian, atë Silvano Fausti. I lindur në vitin 1940, atë Fausti, biblist e shkrimtar, është autor i një mori veprash, kryesisht komente të Ungjillit dhe interpretime të thella e origjinale të Shkrimit Shenjt. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre, si “Rast apo tundim”; “Një bashkësi lexon Ungjillin e Mateut”; “Kujtoje e tregoje Ungjillin”; “Liria e bijve të Zotit” etj. E ja edhe rrëfenja:

“Në kohën e mbretit Herod, natën kur lindi Jezusi, engjëjt ua dhanë lajmin e mirë barinjve.
Ndër ta, ishte edhe një bari i varfër, aq i varfër, sa nuk kishte gjë prej gjëje mbas shpirtit. Kur miqtë e tij vendosën të shkojnë tek Shpella, ku kishte lindur Jezusi, duke i çuar edhe dhurata, e ftuan edhe atë.
E ai gjegji trishtueshëm: “Po më ftoni edhe mua? A nuk e dini kush jam e si jam? Nuk mund të vij. Nuk mundem”.
Po të tjerët, një të thënë e një të bërë, ia mbushën mendjen edhe e morën me vete ashtu si ishte, me duar thatë. E u ulën ngadalë nga stanet, në luginën e blertë, duke lënë pas terr e mjegull.
Kështu arritën te Shpella, ku panë Foshnjën hyjnore me Nënën e tij e me Jozefin. Maria e kishte marrë Foshnjën në krahë e buzëqeshte gëzueshëm. Me zemër plot, duke soditur barinjtë bujarë, të cilët i mblatonin Ferishtes së saj frytin e mundit të përditshëm. Dikush dhuronte shpend gjahu, tjetri lesh të butë, një tjetër, pemë të pjekura. Zoja e pa edhe bariun, që s’kishte asgjë për të dhuruar e i bëri shenjë t’i afrohej. Ai iu afrua kokulur. I turpëruar. Ecte ngadalë e shikonte me dhimbje të thellë dhuratat e të tjerëve pranë grazhdit. Por, ja. Ndodhi e papritura! Maria, duke dashur t’i lironte duart për të marrë dhuratat e barinjve, e lëshoi ëmbëlsisht Foshnjën në krahët e bariut me duar bosh. E atij i lulëzuan në zemër me mijëra ndjesi, me uratën e shqetë në buzët e plasaritura. Lumnia nuk ka ngjyra të tjera.
Zoti që lindi na e mbushtë plot jetën. Na lëshoftë në krahë, si Zoja bariut me duart e zbrazura, dhuratën më të bukur në botë, atë që mbetet gjithnjë e re!".









All the contents on this site are copyrighted ©.