2014-01-19 12:59:14

Shenjtorët e javës 20 – 26 janar


20 janar përkujtohet shën Sebastiani. Burimet historike për jetën e tij janë vërtet të thata, por kulti i tij u ka bërë ballë shekujve dhe është shumë i nderuar edhe sot. Shën Sebastiani u martirizua nën perandorin Dioklecian dhe u varros në katakombet, që mbajnë emrin e tij. Sipas gojëdhënës qe kalorës dhe kishte miqësi me perandorin. Duke përfituar nga kjo miqësi, ndihmoi të krishterët e burgosur dhe të dënuar me vdekje. Përveç kësaj, u predikonte ushtarëve dhe të burgosurve, disa prej të cilëve u bënë të krishterë. Ai ktheu në fenë e krishterë vetë guvernatorin e Romës, Kromacin, dhe birin e tij, Tiburcin, të cilët gjithashtu u martirizuan. Gjithë kjo veprimtari nuk mundi t’i shpëtonte syrit të Dioklecianit, i cili urdhëroi ta lidhnin në trungun e një peme, në një fushë të hapur, e ta vrisnin me shigjeta vetë shokët e tij ushtarë.
21 janar përkujtohet shën Anjeza. U lind në Romë, nga prindër aristokratësh të krishterë, në shekullin III. Kur ishte ende dymbëdhjetëvjeçare, shpërtheu përndjekja e fortë e të krishterëve dhe shumë besimtarë e mohuan fenë. Anjezën e paditi si të krishterë i biri i prefektit të Romës, të cilit ajo i pëlqente, por që nuk e kishte pranuar. U dënua me djegie, por zjarri në të cilën e hodhën, u shua, prandaj e vranë me thikë dhe shpesh ikonografia e paraqet me një qengj, edhe si simbol i pastërtisë, por edhe sepse martirizimi saj i ngjan therjes së një qengji.
22 janar përkujtohet shën Vinçenci i Saragosës. Ishte diakon dhe ia flijoi jetën Krishtit në vitin 304, bashkë me ipeshkvin Valer, të cilit sapo i kishte dorëzuar flitë e shenjta për elter.
23 janar përkujtohet Shën Andrea Çong Hva Giong, katekist e martir. Shtëpia e tij në Seul të Koresë u bë strehë për të krishterët, prandaj u burgos dhe u vra më 23 janar 1840.
24 janar përkujtohet shën Françesku nga Salë. U bë ipeshkëv i Gjenevës dhe qe njëri nga mjeshtrit shpirtërorë më të mëdhenj të shekujve të fundit. Është autori i librit Filotea, hyrje në jetën e devotshme dhe i librave të tjerë, në të cilët parashtron rrugët e shenjtërisë, ku mund të ecin njerëz që u përkasin të gjitha shtresave shoqërore. Bashkë me Zhanë Frejmont dë Shantal themeloi Urdhrin e Takimit (të Marisë me Elizabetën). Me urti shpirtërore dhe ëmbëlsi, diti të afronte me Kishën shumë kalvinistë. Vdiq në Lion (Francë) në vitin 1622.
25 janar përkujtohet kthimi i Shën Palit. Kthimi i Shën Palit tregon fuqinë e hirit, që është më i begatë se mëkati. Ngjarja vendimtare e jetës së tij zhvillohet në rrugën për në Damask ku po shkonte për të përndjekur të krishterët. Ai vetë, i gjendur nën përndjekje për shkak të emrit të Krishtit, do të shkruante: “Unë plotësoj në trupin tim çfarë u mungon mundimeve të Krishtit, në të mirë të trupit të tij, që është Kisha”.
26 janar është e diel, festa e Zotit








All the contents on this site are copyrighted ©.