2014-01-19 14:46:38

Françesku në Engjëllin e Tënzot u jep zemër emigrantëve dhe i dënon “tregtarët e mishit njerëzor”


Ndjekja e Jezusit na bën më të lirë, më të gëzueshëm”. Kështu u shpreh Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë të bashkësive të ndryshme etnike, në Ditën e sotme botërore, kushtuar emigrantit e refugjatit, me temë: “Drejt një bote më të mirë”. Françesku u lut në mënyrë të veçantë për të gjithë ata, që kalojnë vështirësi, duke kujtuar se e keqja mundet vetëm me dashuri.RealAudioMP3

“Ja qengji i Zotit, ai që shlyen mëkatin e botës”. Kështu shprehet Gjon Pagëzuesi për Jezusin, kur e shikon duke ecur në mes të turmës, pranë lumit Jordan. Nga ky takim, i përshkruar në faqen e sotme të Ungjillit, vërejti Papa, kuptojmë se Jezusi erdhi në botë me një mision të mirëpërcaktuar: për ta çliruar nga skllavëria e mëkatit, duke marrë mbi vete të gjitha fajet e njerëzimit:
Në ç’mënyrë? Duke dashur. Nuk ka mënyrë tjetër për ta mundur të keqen e mëkatin, veç dashurisë, që të shtyn të dhurosh jetën për të tjerët”.
Jezusi u ngarkua me vuajtjet tona deri në atë pikë, sa të vdiste i mbërthyer mbi kryq:
“Ai është qengji i vërtetë i Pashkëve, që zhytet në lumin e mëkateve tona, për të na pastruar”.
Është njeriu, që vihet në radhë me mëkatarët për t’u pagëzuar, edhe pse nuk ka fare nevojë. Njeriu, që Zoti e dërgoi në botë, si qengj të gatitur për fli:
“Kjo figurë e qengjit mund edhe të na çudisë; një gjë e gjallë, që nuk dallohet sigurisht për forcë e as për qëndrueshmëri, merr mbi shpatulla një barrë kaq dërrmuese”.
Masa vigane e së keqes zhbëhet e zhduket nga një krijesë e ligshtë, e brishtë, që arrin deri në flijimin e vetvetes:
Qengji nuk është sundues, është i butë; nuk është agresiv, është paqësor, nuk tregon thonjtë as dhëmbët, kur e sulmojnë, por duron, nënshtrohet. E kështu është Jezusi. Kështu është Jezusi, si qengji”.
Çfarë do të thotë sot të jesh dishepull i Jezusit, Qengjit të Hyjit?
“Do të thotë të vësh pafajsinë, në vend të ligësisë; dashurinë, në vend të forcës, përvujtërinë, në vend të mburrjes; shërbimin, në vend të autoritetit”.
Nuk duhet jetuar si qyteti i rrethuar, shpjegoi Papa Françesku, por si qyteti mbi mal, i hapur, mikpritës, solidar. E kjo…
Do të thotë të mos mbyllemi në vetvete, por t’ua propozojmë Ungjillin të gjithëve, duke dëshmuar me jetën tonë se ndjekja e Jezusit të bën të lirë e të mbush me gëzim”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve në Itali e në të katër anët e botës, në Ditën e tyre botërore:
Të dashur miq, ju jeni pranë zemrës së Kishës, sepse Kisha është popull në shtegtim drejt Mbretërisë së Hyjit, që Jezusi e solli ndër ne. Mos e humbni shpresën për një botë më të mirë! Ju uroj të jetoni në paqe në vendet, që ju mirëpresin, duke ruajtur vlerat e kulturave të viseve tuaja”.
Më pas, një falënderim të gjithë atyre, që i mikpresin emigrantët:
Dëshiroj t’i falënderoj ata, që punojnë me emigrantët, që i mikpresin, i shoqërojnë në çastet e tyre të vështira, i mbrojnë nga ata, të cilët i Lumi Skalabrini i quante ‘kasapë mishi njerëzor’, që duan t’i skllavërojnë emigrantët”.
E, në mënyrë të veçantë…
“… dëshiroj të falënderoj Kongregatën e misionarëve të Shën Karlit, etërit e motrat skalabriniane, që i shërbejnë aq mirë Kishës, duke u bërë emigrantë, me emigrantët”.
Së fundi Sheshi i Shën Pjetrit u pushtua nga jehona e uratës së shtegtarëve, që thanë njëzëri një FalemiMëri, si përgjigje ndaj ftesës së Françeskut:
“Në këtë çast mendojmë për emigrantët, që janë shumë, shumë. Për refugjatët e vuajtjet e tyre, për jetën e tyre, shpesh pa punë, pa dokumente e me shumë dhimbje; prandaj ta themi gjithë së bashku një uratë për emigrantët e refugjatët, që jetojnë në gjendjet më të rënda e më të vështira: FalemiMari…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.