2014-01-17 16:13:48

Papa: i krishteri nuk e lë mënjanë Fjalën e Zotit, për të ndjekur atë, që është më në modë


Ata, që kanë dhuratën të jenë bij të Zotit, nuk mund ta ‘shesin’ këtë dhuratë, për hir të ‘normalitetit’ të keqkuptuar, i cili të shtyn ta harrosh Fjalën e Zotit e të jetosh sikur Ai i Lumi të mos ishte fare. Ky, reflektimi i Papës Françesku, në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Në qendër të vëmendjes së Papës, tundimi që të shtyn të dukesh ‘normal’, bir i botës, kur, në të vërtetë, je bir i Zotit. E kjo do të thotë ta harrosh Fjalën e Atit e të ndjekësh fjalën njerëzore, fjalën që do zemra jote, duke vendosur “ta shesësh” dhuratën e të zgjedhurit, për t’u bërë ‘si gjithë bota”. Këtë tundim populli hebre i Besëlidhjes së Vjetër e pati jo një herë, kujtoi Papa Françesku, duke u ndaluar, më pas, tek fragmenti i Liturgjisë, shkëputur nga Libri i Samuelit. Në të tregohet sesi krerët e popullit i kërkojnë Samuelit, tashmë të motuar, të zgjedhë për ta një mbret të ri, duke pretenduar të vetqeverisen. Në këtë çast, vërejti Papa, populli u tundua ta flakte tutje Zotin; jo vetëm të mos ia dëgjonte Fjalën, por ta mohonte. E fraza, që flet vetë për këtë largim nga Hyji, nënvizoi Papa, është ajo, që thonë pleqtë e Izraelit: duam një Mbret-Gjykatës, që të jemi, kështu, edhe ne, si gjithë popujt. Ja pra, nënvizoi Papa, e flakën Zotin e dashurisë, e flakën hirin e popullit të zgjedhur e deshën të ecin sipas mendësisë së botës, pak a shumë siç bëjnë mjaft të krishterë të ditëve tona:
Normaliteti i jetës kërkon nga i krishteri besnikëri ndaj hirit të të zgjedhurit, kërkon të mos e shesë këtë hir, për të shkuar drejt rrafshmit, sipas mendësisë së botës. Ky ishte tundimi i popullit të zgjedhur, e ky, edhe yni. Shpesh e harrojmë fjalën e Hyjit, harrojmë ç’na thotë Zoti, e zëvendësojmë me fjalët e modës, apo jo?. Edhe fjala e telenovelës është e modës, e marrim edhe këtë, pse më e këndshme! Apostazia është pikërisht mëkati i shkëputjes nga Zoti; e qartë, apostazia, shihet qartë. E kjo është më e rrezikshmja, mendësia e botës, sepse është më e hollë”.
Vërtet i krishteri duhet të jetë normal, siç janë normalë gjithë njerëzit, pohoi Papa Françesku, por, ngulmoi, ka disa vlera, të cilat i krishteri nuk mund të mos i mbrojë. I krishteri duhet ta ruajë në shpirt Fjalën e Zotit, që i thotë: “Ti je biri im, je i zgjedhur, unë jam me ty, eci me ty”. Duhet t’i bëjë ballë, prandaj, tundimit, si në episodin e Biblës, për ta konsideruar veten viktimë të një farë kompleksi inferioriteti e për të mos e ndjerë veten popull normal:
“Tundimi e bën zemrën gur; e kur zemra është e ngurtë, kur nuk është e hapur, Fjala e Zotit nuk mund të hyjë në të. Jezusi u thoshte atyre të Emausit: ‘Të pamend e të ngadalshëm në të kuptuar’. E kishin zemrën gur, nuk mund ta kuptonin Fjalën e Zotit. E mendësia e botës e zbut zemrën, por e zbut keqas; zemra e zbutur kësisoj nuk është kurrë zemër e mirë! I mirë është ai, që e ka zemrën të hapur për Fjalën e Zotit, që e merr. Si Zoja e Bekuar, që i meditonte të gjitha këto gjëra në zemër të vet, na kujton Ungjilli. Duhet marrë Fjala, për të mos u larguar nga rruga e të zgjedhurve”.
Ta kërkojmë, atëhere, përfundoi Papa, hirin për t’i kapërcyer mbylljet tona, egoizmin tonë; egoizmin, që më shtyn të bëj ashtu, si më pëlqen, ashtu si dua unë:“Të kërkojmë hirin për t’i kapërcyer e hirin e butësisë shpirtërore, të aftësisë për t’ia hapur zemrën Fjalës së Zotit e për të mos bërë, si bënë këta vëllezërit tanë, që e mbyllën zemrën, sepse qenë larguar prej kohe nga Hyji e prej kohe nuk e dëgjonin, as nuk e kuptonin Fjalën e Zotit. Zoti na dhëntë hirin e një zemre të hapur, për ta pranuar Fjalën e Tij, për ta medituar gjithnjë e për të marrë, kështu , udhën e vërtetë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.