2014-01-17 16:14:17

Papa delegaconit ekumenik: të përqendrohemi mbi qendrën e fesë, dashurinë e Zotit


“Duhet që dëshmia jonë të përqendrohet mbi qendrën e fesë sonë, mbi kumtimin e dashurisë së Zotit”. Kështu u shpreh sot paradite Papa, duke pritur në audiencë një delegacion ekumenik finlandez, me rastin e festës së Shën Henrikut, pajtor i Finlandës. Ati i Shenjtë vuri theksin mbi rëndësinë e ekumenizmit shpirtëror e të dëshmisë së përbashkët të të krishterëve, posaçërisht në kontekste, si ato të Evropës, ku Zoti kërkohet e ndiqet gjithnjë më pak.

“Thua Krishti ishte i ndarë?”. Kësaj pyetjeje i dha përgjigje Papa në fjalimin drejtuar të pranishmëve. E kjo pyetje është edhe në qendër të Javës së Lutjes së sivjetme për Bashkimin e të Krishterëve. E njëjta pyetje, vijoi Papa, na drejtohet sot edhe ne, posaçërisht përballë disa zërave, që nuk duan ta pranojnë më si qëllim të realizueshëm bashkimin e plotë e të dukshëm të Kishës. Papa i inkurajoi të pranishmit të mos heqin dorë nga përpjekjet ekumenike, si besnikë të vetë Zotit Jezus, që iu lut Atit që “të gjithë të jenë një”:
“Në kohën tonë, edhe udha ekumenike si dhe marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve po pësojnë ndryshime të ndjeshme, së pari, sepse e dëshmojmë fenë tonë në rrethanat e një shoqërie e të një kulture, ku është gjithnjë më pak i pranishëm kërkimi i Zotit dhe i të gjitha gjërave, që të kujtojnë përmasën transhendente të jetës. E vërejmë, sidomos, në Evropë, por jo vetëm këtu”.Pikërisht për këtë arsye, theksoi Papa, duhet që dëshmia jonë të përqendrohet mbi qendrën e fesë sonë, mbi kumtimin e dashurisë, që Hyji e dëftoi në Krishtin, Birin e vet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.