2014-01-17 16:16:23

Ndërmjet legjendës e historisë: Lindja e Skanderbegut


Sipas atë Marin Sirdanit
Sot, në 546-vjetorin e vdekjes, Skënderbeu kujtohet i shtrirë në mes të Katedrales së Shën Kollit, në Lezhë, pak para se të zbriste në atë varr legjendar, që do të kthehej në djep krenarie kombëtare për shqiptarët e në tmerr për armiqtë. Çast, ky, i përshkruar në një mori veprash, të cilat kujtojnë fundin e jetës së një Burri, që nuk dihet kur filloi. Ndonëse u përket atyre pak të lumëve, që kanë vetëm një datë: atë të lindjes. Datë, për të cilën historia hesht. Po aty ku hesht historia, nis e flet goja e popullit. Zgjodhëm, prandaj, për ta kujtuar Skënderbeun në përvjetorin e 546-të të vdekjes, pikërisht gojëdhënën që flet për ditën e lindjes së tij, mbledhur nga historiani françeskan shqiptar, atë Marin Sirdani në veprën “Skanderbegu simbas gojëdhanave”:

“Na e dijmë se ndër male t’ona, për një burrë të tepruem, për nji div a kreshnik, thonë se lén drangue. Nji njeri këso dore e falë Zot’ynë të pështjellun me nji pëlhurë të hollë, si shark bolle, me fletë nën sjetulla e i ep fuqi të mbinatyrshme. Kështu, mbas gojëdhanash, u lé edhe Skandërbegu.
Pak dit para se ta falte Zoti, e ama pau në andërr se u shkep nji hyll prej qielli e, tue u ulë kadalas, u drejtue kah ajo. Në sa bâni me u zmbrapë për me i lëshuem vend, u shndrrue në nji foshnje për bukuri. I u dha asaj atëherë m’u avitë për m’e e marrë ngrykë e m’e puthë, por i doli gjumi e u kujtue se kishte qenë në andërr.
Vërté nuk kaloi shum kohë mbas asaj andrre e i fali Zot’ynë nji djalë fort të hijshëm; veshë me nji kmishë të hollë, nën krah të djathtë të shkrueme nji shpatë, nën sjetulla dy lagje fletë e në ball kunorën.
Porsa nisi me ndejë tá, shkonte rrshanas me prekë armët e t’et e mundohej me ato duer të njoma me i përdorë; e ndër lojë, në sa ishte endé foshnje, ishte aq i gjallë, sa mezi i a dilshin vëllazënt, megjithëse ishin shum mâ të mdhaj. Cilsít e pashoqe qi kundroheheshin në tê, bânë me ngrehë sytë e gjithkuj qi e njifte kah ai, e përgëzoheshin me prindt e tij.
Mjerisht ky fëmi i bindshëm nuk qe gëzimi i prindvet veç për pak vjet, përse kur Turku pushtoi për të parën herë Mat e Dibër, u ngushtue i ati me u a dhânë peng. E ata e çuen në Adrene, ku i rrit nën sy të mbretit. Me tê shkuen edhe njizet e pesë Matjanë e aq Dibranë, të cilvet i u desht me u shtî për sy e faqe muhamedanë, por tinëz rrekeshin me mbajtë besimin e të parëve e me ia pasë kujdesin foshnjes së Kastriotit.

Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë 1943-XXI, fq 208








All the contents on this site are copyrighted ©.