2014-01-15 14:24:55

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: U kryqëzua, vdiq


Vijojmë shfletimin e Katekizmit të Kishës Katolike, në 20-vjetorin e botimit. Sot, reflektimi i 27-të i ciklit, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik. Titullohet: “U kryqëzua, vdiq”.

Jemi mësuar me fjalët e Besojmës: “Jezu Krishti pësoi nën Poncin Pilat, u kryqëzua, vdiq e u varros”, pa e ndjerë fuqimisht se ky pohim është shkandull. Pse Zoti hyn në histori në këtë mënyrë? E si është e mundur që një Hyj i gjithëpushteshëm të na dëftohet në të Kryqëzuarin?
Katekizmi pohon; “Vdekja e dhunshme e Jezusit nuk ishte fryt i rastit, në një mpleksje të pavolitshme rrethanash. Ajo i përket misterit, planit të Hyjit” (n.599). Kjo do të thotë se protagonistët e ngjarjeve ungjillore nuk ishin ekzekutues pasivë të një improvizimi hyjnor. Hyji parashikon, por nuk e zhduk lirinë e njeriut.
Hyji e parashikoi se dashuria e tij e mishëruar do të refuzohej dhunshëm. E megjithatë, Ai nuk u tërhoq nga historia njerëzore, por shprehu solidaritetin e Tij ndaj njeriut mëkatar. Zoti na do, edhe kur sillemi si armiq të tij. Katekizmi citon fjalët e Shën Palit: “Hyji e dëftoi dashurinë e vet për ne, sepse ndërsa ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne”(Rom 5,8). Jezusi nuk zbret nga kryqi për t’i ndëshkuar të këqinjtë, por lutet: “Fali, o Atë, se nuk e dijnë ç’po bëjnë!”(Lk 23,34). E kjo është dashuri e vërtetë, ‘deri në fund të fundit’ (Gjn 13,1). Në të Kryqëzuarin shikojmë gjithëpushtetin e Hyjit, gjithëpushtet i dashurisë e i mëshirës.
Vdekja e Krishtit, siç na e kujton Katekizmi, është flijim, që e bën njeriun të rikthehet në bashkim me Zotin (cfr n. 613). Gjithsesi nuk duhet menduar se Biri u flijua për të fashitur zemërimin e Atit. Ishte flijim për dashuri. Hyji është i shenjtë. Si i tillë, nuk mund ta pranojë mëkatin. Për ta shpëtuar mëkatarin, i mori mbi vete mëkatet e tij. E duke e kryer këtë akt, i dhuroi njeriut faljen, pajtimin e ringjalljen për jetën e pasosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.