Ekumenizëm: Patriku i Kostandinopojës Bartolomeu I pret kreun e Kishës Anglikane Welby
Patriku ekumenik Bartolomeu I priti të hënën në Fanar (Stamboll) kryeipeshkvin e Kantërbërit
dhe udhëheqësin shpirtëror të Bashkësisë Anglikane Justin Welby. Takimi – i pari pas
fronëzimit të kryeipeshkvit Welby në Kantërbëri para një viti, u zhvillua në “një
klimë të ngrohtë e miqësore”. Të dy udhëheqësit u shprehën se synojnë t’i çojnë përpara
marrëdhëniet e mira, theksuan rëndësinë e dialogut teologjik, si edhe angazhimin e
Bashkësisë Anglikane dhe të Kishës Ortodokse për një “bashkëpunim më të gjerë, për
një dëshmi të përbashkët, në një botë gjithnjë më laike e pluraliste, veçanërisht
në Evropë”. Dy udhëheqësit, njofton agjencia Sir, “shprehën shqetësim për padrejtësitë
në shumë anë të botës dhe u lutën veçanërisht për të varfrit, të shtypurit, të rrëmbyerit
e luftës, për paqen e drejtësinë në të gjithë botën, veçanërisht në Lindjen e Mesme,
por edhe në anë të tjera të botës”. Ranë, gjithashtu, në një mendje, “për të kërkuar
modalitete, që te bëjnë më të thellë vetëdijen mbi çështjet mjedisore, si edhe mbi
vlerat e krishtera të dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave fetare”.