2014-01-14 14:01:40

Seminar mbi Sirinë në Vatikan: A mund të qëndrojmë indiferentë?


U zhvillua dje në Akademinë Papnore të Shkencave, seminari me temë “Siria: a mund të jemi indiferentë?”. Punimet i hapi prefekti i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan Lui Turan. Në përfundim të takimit me dyer të mbyllura, pjesëmarrësit dolën me një komunikatë për shtyp, ku shprehin shpresat e Selisë së Shenjtë për mbledhjen “Gjeneva 2”, që do të mbahet në Montreaux të Zvicrës, më 22 janar.
Fillimisht, në të vihen në dukje tmerret e luftës në Siri, e cila deri tani, ka shkaktuar 130 mijë viktima dhe e ka shkatërruar pothuaj krejtësisht këtë vend të mrekullueshëm. Sipas pjesëmarrësve në seminarin vatikanas, hapi i parë për zgjidhjen e kësaj gjendjeje, është pa dyshim vendosja e armëpushimit dhe fundi i dhunës pa pretenduar asnjë kusht politik. “Të gjithë luftëtarët e brendshëm – shkruhet në mesazhin përfundimtar – duhet të ulin armët; të gjitha fuqitë e huaja duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme për ndalimin e fluksit të armëve dhe të financimit për blerjen e tyre, që s’bëjnë tjetër veçse e shtojnë dhunën e shkatërrimin”.
Fundi i luftimeve, shkruhet më tej, duke arritur në hapin e dytë, duhet të shoqërohet me asistencën humanitare dhe me rindërtimin e vendit. Miliona sirianë janë larguar nga shtëpitë e tyre, vërehet në mesazhin e Akademisë Papnore të Shkencave. Ata ndodhen shpesh në kampe, ku kanë nevojë për çdo gjë, por edhe vetë Siria duhet ndihmuar me financime ndërkombëtare për të ringritur rrjetin e saj të transportit e të telekomunikimeve, për të plotësuar nevojat bazë jetësore të njerëzve e për të rindërtuar vendin, edhe më parë se të zgjidhen çështjet politike e shoqërore. T’u jepet përparësi rinisë dhe të varfërve, këshillohet në mesazh, duke punuar për krijimin e vendeve të punës dhe për kualifikimin e njerëzve.
Njëkohësisht, shkruajnë pjesëmarrësit e seminarit të djeshëm mbi Sirinë, duhet filluar dialogu e pajtimi ndërmjet bashkësive përbërëse të popullsisë, duke pasur parasysh historinë e ndërlikuar të vendit, bazuar në pluralizmin e traditave, të feve, të etnive e të kulturave. Por, vërehet në mesazh, gjendja në Siri nuk mund të ndryshojë pa siguruar pajtimin në nivelin rajonal, situata e të cilit shkakton pasiguri. Pikërisht për këtë arsye, është i rëndësishëm takimi “Gjeneva 2”, i cili duhet të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha palëve në konflikt, brenda e jashtë rajonit. Vatikani vë në dukje marrëveshjen e fundit me Iranin për programin e tij bërthamor dhe bisedimet izraelito-palestineze, me ndihmën e SHBA-ve. Të gjitha, ngjarje që krijojnë premisat për paqe të qëndrueshme në rajon, e pra, edhe në Siri.
Duke i përmbledhur idetë, mesazhi saktëson se kushtet për paqen afatgjatë janë: ndalimi i menjëhershëm i dhunës; fillimi i rindërtimit; dialogu ndërmjet bashkësive; zgjidhja progresive e konflikteve rajonale, që nis nga pjesëmarrja e të gjithë protagonistëve rajonalë e globalë në takimin “Gjeneva 2”. Në Siri, shtojnë ekspertët e Vatikanit, ndjehet nevoja për forma të reja politike, që të sigurojnë përfaqësimin e gjithë popullsisë, pjesëmarrjen, reformat e t’u japin zë e siguri të gjitha grupeve shoqërore.
Mesazhi përfundon me fjalët e Papës Françesku, gjatë lutjes për paqen në Siri, organizuar në Vatikan: “Edhe një herë, i lutem Zotit që ne të krishterët, vëllezërit e motrat tona të feve të tjera, si edhe çdo burrë e grua vullnetmirë, të thërrasë sa ka fuqi: dhuna dhe lufta nuk janë kurrë udhë për paqen! Secili të vështrojë thellë në ndërgjegjen e vet e të dëgjojë fjalët, që thonë: Lëreni pas interesin vetjak, që ua ngurtëson zemrat, kapërcejeni indiferencën, që i bën zemrat të pandjeshme ndaj të tjerëve, fitoni mbi arsyetimet vdekjeprurëse dhe hapjani shpirtin dialogut e pajtimit. Shikojeni dhimbjen e vëllait e mos e shtoni atë, por jepini dorën, rindërtoni harmoninë e shkatërruar; dhe e gjitha kjo, të arrihet jo me konflikt, por me takim!”








All the contents on this site are copyrighted ©.