Imz. Parolin takon Sekretarin e Shtetit të SHBA-së John Kerry
Dje, në Vatikan, u takuan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Imzot Pietro Parolin,
dhe sekretari të Shtetit të SHBA-së, John Kerry. Kreu i diplomacisë amerikane po zhvillon
këto ditë një sërë vizitash diplomatike, për të mbështetur një marrëveshje për paqen
mes izraelianëve e palestinezëve dhe mbarëvajtjen e konferencës “Gjeneva 2” për paqen
në Siri, që do të mbahet më 22 janar. Mbi takimin mes Parolin-it e Kerry-t, të dëgjojmë
deklaratën për shtyp të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico
Lombardi: “Sot paradite Sekretari
amerikan i Shtetit erdhi për vizitë në Vatikan dhe takoi Sekretarin e Shtetit, Shkëlqesinë
e Tij Imz. Parolin. Takimi qe shumë i rëndësishëm; qe gjithashtu i gjatë, sepse zgjati
një orë e dyzet minuta. Morën pjesë, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Ambasadori
amerikan pranë Selisë së Shenjtë dhe tre anëtarë të stafit të Sekretarit të Shtetit;
nga ana e Vatikanit, Sh. T. Imzot Parolin, që është Sekretari i Shtetit, sekretari
për marrëdhëniet me Shtetet, Sh. T. Imzot Mamberti dhe dy zyrtarë të tjerë të kurjes,
kompetentë për argumentet e trajtuara. Takimi qe shumë i frytshëm e shumë i pasur
edhe nga përmbajtja. Argumentet kryesore, që u trajtuan, qenë, natyrisht, çështjet
e Lindjes së Mesme, veçanërisht gjendja siriane, që do të trajtohet gjatë këtij muaji
në Gjenevë. Natyrisht, u paraqitën shqetësimet dhe dëshirat e Selisë së Shenjtë, të
shprehura edhe gjatë fjalimit të Papës me Trupin Diplomatik: dëshira për një zgjidhje
paqësore të konfliktit dhe angazhimi për ndihmat humanitare ndaj popullsive të sprovuara.
U mor në shqyrtim tema e negociatave ndërmjet Izraelit e Palestinës, duke inkurajuar
vijimin e tyre, shpresojmë, me një përfundim të mirë. Gjatë bisedimeve u fol edhe
për Afrikën. Jemi në dijeni të gjendjes në Sudan, që është bërë kaq dramatike gjatë
kohëve të fundit, dhe shpresojmë se ndërmjetësimi i nisur për një marrëveshje mes
palëve të sjellë përfundime të mbara. U prek edhe tema e Shteteve të Bashkuara
dhe, nga ana e Vatikanit, u shpreh shqetësimi i Selisë së Shenjtë, në sintoni me ipeshkvijtë
amerikanë, për temat që kanë të bëjnë me rregulloret e reformës shëndetësore, në lidhje
me garancinë për lirinë fetare të kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. U fol edhe
për planin e Presidentit për të luftuar kundër varfërisë dhe për përmirësimin e gjendjes
së shtresave më të varfra të popullsisë. Atmosfera ishte – siç e thashë në fillim
– pozitive; takim konstruktiv, i rëndësishëm, kohëzgjatja e të cilit e tregon vetë
çfarë rëndësie kishte.