2014-01-14 15:14:09

Darkë për skamnorët fare pranë Vatikanit


Nismë solidare, që i përgjigjet ftesës së Papës Françesku, për t’u kujdesur për të varfrit. Organizatorët qenë pronarët e një bari pranë Vatikanit, të cilët mbrëmë përgatitën një darkë për rreth njëqind të varfër, të përzgjedhur nga famullia e Shën Anës. Nisma dëshiron të jetë një çast miqësie dhe bashkimi me shumë njerëz, të cilët i ndihmon Karitasi i famullisë gjatë gjithë vitit. Shumë prej tyre, tregon famullitari i Shën Anës, Atë Bruno Silvestrini – trokasin në dyert e bashkësisë agostiniane dhe të zyrave famullitare, për të kërkuar mbështetje ekonomike e morale. Ndër të ftuarit ishte edhe Kryeipeshkvi Konrad Krajewski, Lëmoshtar i Papës Françesku. Radio Vatikani intervistoi Imz. Francesco Gioia, Kryetar i Peregrinatio ad Petri Sedem (Shtegtimi tek Selia e Pjetrit), një nga organizatorët e darkës së solidaritetit:
Ka njëzet vjet që organizoj dreka ose darka për skamnorët e lagjeve të ndryshme të Romës, pranë disa familjeve të miqve të mi, gjithmonë në mënyrë shumë të rezervuar. Këtë vit Provania vendosi që gatishmërinë ta jepte “Bar Moretto, përballë hyrjes në Vatikan, sepse pronarët janë miqtë e mi dhe kujdesen për të varfrit e për misionarët prej shumë vitesh. Të ftuarit e kësaj mbrëmjeje – rreth njëqind – janë ata që agostiniani Atë Bruno Silvestrini, famullitar i famullisë së Shën anës, i pret dhe i ndihmon çdo ditë me shumë dashuri, duke i mbështetur me anë të karitasit të famullisë. Kjo përvojë përkrah të varfërve – e them me bindje – na bën të zbulojmë tek ata disa vlera që nuk i njohim. Në fund, pasi të flasësh me ta për pak kohë, edhe për pak minuta, vëmë re se ata bëhen mësues jete për ne.
Kush janë këta njerëz. Ju, a i njihni?
Janë disa të pastrehë, që flenë pranë pallateve të Vatikanit; janë ata që unë takoj çdo ditë në famullinë e Shën Anës. Ja, këta janë. Duhet të falënderojmë Papën, që na ka shtyrë të vihemi në shërbim të të varfërve.
A ka ndonjë histori të veçantë, që dëshironi të na e veçoni?
E kam një. Një njeri që e takoj çdo ditë, paradite, pasdite... Më pret. Kur bëj shenjtë se po i jap diçka, më thotë: “Jo, jo!”. Nganjëherë lyp vetë. Nëse i jap një karmonedhë, më thotë se është tepër! Më ka treguar këtë gjë: “Më kanë thënë: pse nuk hyn në ndonjë kuvend për t’u bërë rregulltar?” E ai është përgjigjur – duke më bërë të turpërohem –: “Po nëse shkoj në kuvend kam për të ngrënë tri herë në ditë, kam një dhomë të ngrohtë e të gjitha të mirat. Unë, përkundrazi, jetoj nën qiell të hapur!” Kur e takoj – e këtë e ndiej thellë brenda meje – nga njëra anë më jep paqe, nga ana tjetër më trazon.








All the contents on this site are copyrighted ©.