2014-01-13 13:27:08

Të krishterët, pakica më e persekutuar në botë. Varton: përgjegjësit, integralizmi, diktaturat, kriminaliteti


Flitet pak, e bëhet shumë. Tepër shumë vijojnë të persekutohen të krishterët në të katër anët e botës. Raporti i fundit, i hartuar nën kujdesin e “Portes ouvertes France”, për të cilin ju folëm pak ditë më parë, na bind, me gjuhën e fakteve, për vuajtjet e të krishterëve të përndjekur, deri në flijimin e jetës. Po pse kaq shumë urrejtje kundër njerëzve, që besojnë në Zotin e kryqëzuar nga dashuria për njeriun? Që punojnë për paqen, pajtimin, faljen? Përgjigjet Michel Varton, drejtor i organizatës jo qeveritare franceze, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: C’est difficile à dire, parce que il n’y a pas une seule cause…
Vështirë ta thuash, sepse nuk mund të flitet për një arsye të vetme. Është e vërtetë se integralizmi islamik vijon të përhapet, por nuk vuajnë të gjithë prej tij, ka edhe integralizma të tjera: në Indi, për shembull, Kisha vuan për shkak të sulmeve të hinduistëve radikalë. Në Sri Lanka, vend që sivjet hyri në raportin tonë për të parën herë, persekutimi vjen nga budizmi… Prej këndej, duhet pohuar se islami nuk është i vetmi përgjegjës. Natyrisht, në përgjithësi, bashkëjetesa ndërmjet Kishës e islamit është e vështirë. Duhet thënë se më shumë nga të gjithë vuajnë myslimanët, që e lënë fenë e tyre, për të rrokur fenë e krishterë. Shumë duan, por nuk munden, sepse persekutimi kundër tyre është me të vërtetë i fortë. Në vende të tjera, pastaj, si në Korenë e Veriut, të krishterët persekutohen nga diktatura, që s’njeh zot tjetër mbi vete, veç diktatorit. Në vende të tjera, persekutohen nga kriminaliteti; në Kolumbi Kisha vuan në ato vise, që janë nën kontrollin e milicëve të Farc. Këtu janë trafikantët e drogës, që e sulmojnë dhe e shqetësojnë pa masë Kishën Katolike, sepse Kisha përfaqëson opozitën e kriminalitetit.

Pyetje: - Si është situata e të krishterëve në Siri?

Përgjigje: Justement, donc, la Syrie, qui aujourd’hui est en troisième place …
Siria sot zë vendin e tretë në listën e vendeve, ku persekutimi i të krishterëve është shumë i egër. Në Siri vijon lufta civile, e edhe një luftë e dytë, brenda asaj civile, e Kisha është viktimë e heshtur e këtij konflikti. Prej këndej, shumë të krishterë sirianë ikin nga vendi. Kemi frikë se mund të përfundojnë si të krishterët e Irakut, që pak vjet më parë ishin 1 milion e 300 mijë, ndërsa sot kanë mbetur në vend vetëm 250-300 mijë.

Pyetje: - Ikja e të krishterëve është rrezik, që ndjehet pak a shumë në të gjitha vendet arabe…

Përgjigje: - C’est un risque comme pour tous les pays …
Është rrezik në të gjitha vendet. Një pastor egjiptian më ka thënë: “Nëse Kisha në Egjipt nuk ka të drejtë të ekzistojë e nuk mund ta jetojë në paqe fenë e vet, kjo do të ketë pasoja edhe në Perëndim”.

Pyetje: - Sipas jush, të krishterët janë pakica më e persekutuar në botë…

Përgjigje: - C’est vraiment l’impression que nous avons…
Në të vërtetë, pikërisht këtë përshtypje kemi. Nuk është e lehtë të japësh shifra të sakta, por edhe nëse shkojmë t’i ballafaqojmë të dhënat tona me shoqatat dhe institutet e tjera të kërkimeve në botë, do të arrinim në të njëjtin përfundim: sot pakica më e persekutuar është Kisha!








All the contents on this site are copyrighted ©.