2014-01-13 14:27:29

Papa Trupit diplomatik: nga mbyllja vjen vetëm shkatërrimi; t’i hapet udha kulturës së takimit


Mbyllja çon gjithnjë në shkatërrim, prandaj duhet nxitur gjithnjë kultura e takimit. Janë fjalët e Papës Françesku, drejtuar anëtarëve të Trupit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, me të cilët u takua sot paradite, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, për urimet e fillimit të vitit.RealAudioMP3
Nga Siria, në Afrikën Qendrore; nga Nigeria, në Irak, Papa, në fjalimin e tij, shkeli simbolikisht në të gjitha zonat, që sot vuajnë nga shkaku i dhunës. Pohoi me forcë edhe nevojën për ta luftuar “kulturën e përjashtimit”, “të hedhurinës”, për t’i ndihmuar njerëzit e ligshtë, posaçërisht, emigrantët. Më pas, një thirrje e fuqishme për fëmijët, që të shpëtohen nga tmerri i abortit, nga lufta, nga shitja në tregjet e turpit.
Kujtojmë se sot Selia e Shenjtë ka marrëdhënie të plota diplomatike me 180 shtete. Në emër të përfaqësuesve të tyre, Papën e përshëndeti dekani i Trupit diplomatik, Jean-Claude Michel (Zhan Klod Mishel) ambasador i Principatës së Monakos.

Hapje, takim, vëllazërim. Janë tri shtyllat, rreth të cilave u shtjellua fjalimi i Atit të Shenjtë drejtuar Trupit diplomatik, një lloj “road map” globale për paqen dhe të drejtat e njeriut. Papa nënvizoi menjëherë se duhen përkrahur njerëzit më të ligshtë: pleqtë, të cilët gjithnjë më shpesh shikohen si barrë e rëndë, e të rinjtë, që duhen ndihmuar të gjejnë punë, për të mos ua shuar entuziazmin e moshës. Nuk harroi edhe të kërkonte politika që mbrojnë familjen. Më pas vuri theksin mbi temën e tij të dashur, atë të kulturës së takimit:
Mbyllja dhe izolimi krijojnë gjithnjë atmosferë të rëndë, mbytëse, që heret a vonë ta merr frymën. Ndërsa duhet një impenjim i përbashkët, i të gjithëve, për të favorizuar kulturën e takimit, sepse vetëm kush është në gjendje të shkojë drejt të tjerëve, është i aftë edhe të sjellë fryte, të krijojë lidhje bashkimi, të rrezatojë gëzim, të ndërtojë paqe”.
E dëshmojnë këtë, tha Papa, pamjet e shkatërrimit e të vdekjes, që i patëm parasysh gjatë gjithë vitit të kaluar. Françesku, që citoi shumë paraardhës të tij, u ndalua pastaj tek situata dramatike në botë, duke nisur nga Siria, për të cilën kërkoi edhe një herë, fundin e konfliktit. Ati i Shenjtë falënderoi edhe të gjithë ata, që morën pjesë në Ditën e Lutjes, shpallur prej tij, për paqen në këtë vend:
Duhet një vullnet i ri politik i përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit. Në këtë perspektivë, uroj që Konferenca “Gjeneva 2”, e thirrur për 22 janarin e ardhshëm, të shënojë fillimin, aq të dëshiruar, të ecjes drejt paqtimit. Njëkohësisht, është i domosdoshëm respektimi i plotë i së drejtës humanitare. Nuk mund të pranohet goditja e popullsisë së pambrojtur civile, posaçërisht, e fëmijëve”.
Pas fjalëve inkurajuese për të gjithë refugjatët sirianë, Ati i Shenjtë lavdëroi edhe përpjekjet e vendeve, si Libani e Jordania, që i mikpritën bujarisht. Duke mbetur gjithnjë në Lindjen e Mesme, Papa nuk e fshehu merakun për thellimin e kontrasteve në Vendin e Kedrave, si dhe për mungesën e stabilitetit, që vërehet edhe në Egjipt e në Irak. Ndërsa shprehu kënaqësinë lidhur me progresin e përpjekjeve për paqe ndërmjet izraelitëve e palestinezëve:
Në këtë drejtim është pozitiv rifillimi i bisedimeve për paqe ndërmjet izraelitëve e palestinezëve e uroj që palët të jenë të vendosura në marrjen, edhe me mbështetjen e Bashkësisë ndërkombëtare, të vendimeve të guximshme, për të gjetur rrugëzgjidhjen e drejtë e të qëndrueshme të konfliktit, përfundimi i të cilit është gjithnjë më i nevojshëm e më i ngutshëm”.
Papa Françesku foli edhe për ikjen e vazhdueshme të të krishterëve nga Lindja e Mesme dhe nga Veriu i Afrikës. Ata, vërejti, dëshirojnë të bëjnë pjesë në jetën shoqërore, politike e kulturore të vendeve, për ndërtimin e të cilave derdhën shumë djersë:
“... të krishterët janë të thirrur të japin dëshmi të dashurisë e të mëshirës së Hyjit. Nuk duhet të lodhen kurrë duke bërë mirë, edhe kur kjo është e vështirë, edhe kur pësojnë akte intolerance, për të mos thënë, persekutimi të mirëfilltë”.
Me shqetësim të thellë, Françesku u ndal në Republikën Qendroafrikane, ku popullsia vuan nën peshën e rëndë të tensioneve, që vijojnë të mbjellin shkatërrim e vdekje. E kërkoi me forcë që Bashkësia ndërkombëtare të interesohet e të japë ndihmesën e vet për përfundimin e dhunës, rivendosjen e shtetit të së drejtës e edhe për garantimin e hyrjes së ndihmave humanitare në vend. Nga ana e tij ripohoi se Kisha katolike do të vijojë të japë ndihmesën e vet, do të bashkëpunojë për të mbështetur popullsitë e për të siguruar atmosferën e pajtimit e të paqes. Binom ky, tha, që është detyrë e dorës së parë edhe në zona të tjera të Kontinentit afrikan. Papa u ndalua posaçërisht tek situata e vështirë në Nigeri, Mali, në Sudanin e Jugut, ku është krijuar një emergjencë e vërtetë humanitare.
Më pas e drejtoi vështrimin kah Azia, duke uruar dhuratën e pajtimit për gadishullin korean e edhe atë të thellimit të bashkëjetesës paqësore në Kontinent, ndërmjet grupeve të ndryshme civile, etnike e fetare:
Duhet inkurajuar një respekt i tillë, posaçërisht përballë disa sinjaleve shqetësuese të një farë dobësimi të tij, që vërehet posaçërisht në sjellje të mbylljes, të bazuara mbi shkaqe fetare, me prirjen për t’ua kufizuar të krishterëve lirinë, duke vënë në rrezik bashkëjetesën paqësore”.
Paqes, vijoi, i hapen plagë në të gjitha ato vende, ku dinjiteti njerëzor mohohet, para së gjithash, nga mungesa e ushqimit të mjaftueshëm. E, theksoi me forcë Ati i Shenjtë, asnjeri nuk mund t’i shikojë me indiferencë fytyrat e mekura të njerëzve, që vuajnë nga uria, posaçërisht të fëmijëve. Sot, vërejti më tej me hidhërim të thellë, nuk flaken në plehra vetëm ushqimet e të mirat e tjera, por flaken deri qeniet njerëzore, si të ishin sende të panevojshme, hedhurina:
Për shembull, të tmerron vetëm mendimi se ka fëmijë, që nuk mund ta shikojnë kurrë dritën, viktima të abortit, ose të tjerë, që përdoren si ushtarë, që dhunohen, vriten në konfliktet e armatosura, ose bëhen mall për tregun e tmerrshëm të skllavërisë moderne, ku shiten e blihen qenie njerëzore, krim, ky, kundër vetë njerëzimit”.
Në vijim Françesku kujtoi vizitën e tij në Lampeduzë, duke kërkuar mikpritje për emigrantët, posaçërisht për ata, që detyrohen të ikin nga dhuna e thatësira në Bririn e Afrikës e në zonën e Liqeneve të Mëdha.
Papa, ipeshkëv i Romës, nuk mund të mos i drejtonte një urim të veçantë edhe Italisë:
I uroj popullit italian, të cilin e shikoj me dashuri, edhe për rrënjët e përbashkëta, që na lidhin, të përtërijë impenjimin e tij të solidaritetit ndaj më të ligshtëve e më të pambrojturve e, me përpjekje të sinqerta korale të qytetarëve e të institucioneve, t’i kapërcejë vështirësitë aktuale, duke rigjetur klimën konstruktive shoqërore, që e ka karakterizuar për një kohë të gjatë”.
Fjalimi i Papës Françesku përfundoi me një mendim, plot afërsi, ndaj viktimave të tufanit Hajian e me një thirrje për respekt ndaj Krijimit. Edhe shfrytëzimi i pangopur i burimeve ambientale, kujtoi me qortim, përbën një plagë të rrezikshme për paqen”.









All the contents on this site are copyrighted ©.