Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve: Thirrje e Kek Kishave evropiane
Bëhet thirrje që të 115 kishat, anëtare në Konferencën e Kishave evropiane (Kek),
të mblidhen tok në Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Java, sipas traditës,
do të kremtohet nga 18 deri më 25 janar. Thirrjen e bën Kek që, në komunikatën, rimarrë
nga agjencia Sir, lëshon, me këtë rast, një deklaratë të sekretarit të saj të përgjithshëm,
Guy Liagre: “Të lutemi së bashku për unitetin e Kishës, është mënyra më e fuqishme,
që mund t’u krijojë 115 Kishave tona anëtare mundësinë për të shprehur frymën e tyre
ekumenike. Ja pse i ftojmë të marrin pjesë njëzëri, në Javën e Lutjes për bashkimin
e të krishterëve. “Krishti nuk mund të ndahet!”. Ky pohim, i shkëputur nga letrat
e Shën Palit drejtuar Korintianëve, u zgjodh sivjet si temë për meditimet e Javës
së Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Teksti për meditimet e Javës së sivjetme
u hartua nga një grup përfaqësuesish të Kishave të ndryshme të Kanadasë dhe u botua,
pastaj, nga Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në bashkëpunim
me Këshillin ekumenik të Kishave, përmes Komisionit të tij “Fe e kushtetutë”. Pohimi
kategorik i Palit “Krishti nuk mund të ndahet!”, tingëllon sot si ftesë e ngutshme
për lutje e për rrëmimin e ndërgjegjes. I drejtohet secilit të krishterë dhe gjithë
bashkësisë e bashkësive të krishtera. Flijimi i Jezusit na mjafton, sot e përgjithmonë!”,
nënvizohet në tekstin e meditimeve.