Imzot Tomazi: duke pritur “Gjenevën 2”, Selia e Shenjtë forcon impenjmin për paqe
Në mesazhin për vitin e ri, Papa Françesku nënvizoi se bota është e thirrur të formojë
një bashkësi të përbërë nga njerëz, që e shikojnë njëri-tjetrin si vëllezër. Por kësaj
thirrjeje i kundërvihet globalizimi i indiferencës, na kujton imzot Silvano Tomazi.
Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së të Gjenevës, na flet
sot për impenjimin e Selisë së Shenjtë në shërbim të paqes e të pajtmit, kujton temën
e vëllazërimit, ndalohet tek lufta në Siri dhe impenjimet e nunciaturës për vitin
2014. Ndërkaq situata në Siri mbetet e tensionuar. Ditët e fundit u vranë mbi
500 vetë në ndeshjet ndërmjet rebelëve dhe milicëve kaedistë. Në veri të vendit, në
pritje të “Gjenevës 2”, që do të mblidhet më 22 janar, në Montreaux(Montro), dje,
në Paris u mblodh takimi i ‘Miqve të Sirisë’. Miqtë po përpiqen të sigurojnë një qëndrim
kompakt brenda opozitës. Por, të rikthehemi tek imzot Tomazi, në mikrofonin
tonë:
Pyetje:
- Konferenca e 22 janarit kushtuar Sirisë po afrohet: cilat janë problemet, që
shtrohen për zgjidhje mbi tryezën e bisedimit?
Përgjigje: - Kërkimi
i paqes në Lindjen e Mesme është impenjim i përhershëm i bashkësisë ndërkombëtare.
Lufta, që vijon në Siri dhe shpërthimi i konflikteve në Irak e gjetiu, kërkojnë dyfishimin
e përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës dhe vuajtjeve të miliona njerëzve. Situata
është e ndërlikuar për shkak të kundërvënies së interesave të fuqive të mëdha, si
Rusia e SHBA si dhe të garës për parí politiko-fetare ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite
ose ndërmjet shiitëve sunnitëve. E, në këtë panoramë kaq të shqetë jetojnë edhe të
krishterët. Hapi i parë, në këtë situatë, është t’i jepet fund dhunës dhe rrënimit,
në vijim. Ati i Shenjtë Françesku ka folur qartë për paqe të drejtë në Lindjen e Mesme
ku, pas pak kohe, do të shkojë personalisht. Sipas shembullit të Tij, Akademia Papnore
e Shkencave thirri një takim me pjesëmarrjen e specialistëve e të personaliteteve
fetare, për të reflektuar së bashku e për t’i drejtuar këshilla të mundshme Konferencës
“Gjeneva 2”, që duhet të mbahet në Gjenevë, më 22 janarin e ardhshëm. Do të jenë
tok, ulur rreth tryezës së bisedimeve, të gjitha forcat politike, që kanë të bëjnë
me konfliktin sirian…
Pyetje: - A ka ndonjë nismë të posaçme të nunciaturës,
lidhur me takimin “Gjeneva2”?
Përgjigje: - Edhe Këshilli Ekumenik i
Kishave organizon, më 16 e 17 janar, takimin me liderët fetarë të krishterë e myslimanë,
për t’i mbështetur politikanët e për të dëshmuar sa urgjente është vendosja e paqes
si dhe përfundimi i shpërnguljes së detyruar të miliona njerëzve, ndërmjet të cilëve,
shumë fëmijë. E jo më pak, vrasja e qindra të tjerëve. Misioni i Selisë së Shenjtë
në Gjenevë ka ndërhyrë disa herë për çështjen e Sirisë e vijon ta bëjë këtë, duke
propozuar respekt e barazi për çdo qytetar, që duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat
njerëzore para shtetit. Nuk ka etni, as fe, që mund ta pengojë barazinë para shtetit,
i cili duhet të sigurojë respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut.
Vetëm kështu mund të vendosen paqja e bashkëpunimi në Lindjen e Mesme.
Pyetje:
- Cilat janë impenjimet më urgjente për t’u përballuar në vitin 2014?
Përgjigje:
- Edhe 2014-ta paraqitet vit impenjativ, si për punën e zakonshme të Këshillit
për të Drejtat e Njeriut e të Konferencës për Çarmatimin, ashtu edhe për kërkesat
humanitare, që lindin nga konfliktet në Afrikë e në Lindjen e Mesme, në vijim, duke
shkaktuar dyndjen e valëve të refugjatëve në Republikën Qendroafrikane dhe në Sudanin
e Jugut. Prania e Selisë së Shenjtë është pak a shumë zëri i ndërgjegjes. Parësor
mbetet kërkimi i paqes, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë lloj zhvillimi. Shqetësuese
janë edhe problemet e lirisë fetare, punësimi i të rinjve, mbrojtja e fëmijëve, trafiku
i njerëzve dhe emigracioni.