2014-01-12 10:52:59

Shenjtorët e javës 13 – 19 janar


Më 13 janar përkujtohet shën Hilari nga Puatje. U lind në Puatje (Poitiers, Francë), rreth vitit 315, nga një familje pagane. Jetoi duke kërkuar kuptimin e jetës, në fillim në doktrinat neoplatonike, pastaj – pas leximit të Biblës – në krishterim. Fisnik e i pasur me toka, i martuar e me një vajzë, pak pas pagëzimit u shpall ipeshkëv i Puatjesë. Me veprat e veta, sidomos me traktatin “De Trinitate” (Mbi Trininë), luftoi kundër herezisë ariane. Qe dëbuar nga selia ipeshkvore dhe, gjatë asaj periudhe, iu kushtua studimit. Kur u kthye në dioqezë, bashkëpunoi me ipeshkvin e ardhshëm të Turit (Tours), Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Piu IX e shpalli Doktor të Kishës.
Më 14 janar përkujtohen shenjtërit martirë të Malit Sinai e të Egjiptit. Shumë murgj të shenjtë u vranë për shkak të fesë në Malin Sinai dhe në Egjipt. Disa nga emrat e tyre i dimë nga tradita gojore, por nuk gjenden në librin e martirëve, prandaj sot përkujtohen në grup.
Më 15 janar përkujtohet Arnold Janssen, prift dhe mësues gjerman. Në vitin 1873 nisi veprimtarinë e apostullimit misionar, fillimisht duke hapur një të përmuajshme, “Lajmëtari i vogël i zemrës së shenjtë të Jezusit”, pastaj, në vitin 1875, themeloi Shoqërinë e Fjalës së Mishëruar (Verbitët). Shtëpia amë e Urdhrit u vendos në Steyl të Holandës, për shkak të përndjekjeve antikatolike bismarkiane në Gjermani. Misioni i parë u hap në Kinën jugore, por shumë shpejt verbitët u përhapën në të gjitha kontinentet. Arnold Janssen u shpall shenjt më 5 tetor 2003.
Më 16 janar përkujtohen Berardi, Oktoni, Pjetri, Akursi e Adiuti, misionarët e parë të dërguar nga Shën Françesku i Asizit në trojet saracene. Me të mbërritur në Spanjë, përçmuan çdo rrezik dhe filluan të predikonin fenë e Krishtit nëpër xhamitë e atjeshme. Pasi i kapën, i paraqitën para Sulltanit, i çuan në Marok me urdhrin për të mos e kumtuar më emrin e Krishtit, por ata vijuan ta shpallin Ungjillin me guxim të madh. Për këtë arsye, i torturuan pa mëshirë dhe, më 16 janar 1220, u prenë kokën me urdhër të princit të Murëve. Pasi mori vesh lajmin e martirizimit të lavdishëm, Shën Françesku thërriti: “Tani mund të them me siguri se kam pesë Fretër të Vegjël”. U shpallën shenjtorë nga papa françeskan Siksti IV në 1481-shin.
Më 17 janar përkujtohet Shën Antoni abat. Është njëri ndër heremitët më të ndritur të historisë së Kishës. U lind në Koma të Egjiptit rreth vitit 250 dhe në moshën njëzetvjeçare braktisi gjithçka, për të jetuar fillimisht në një rrah të shkretë e pastaj pranë brigjeve të Detit të Kuq, ku çoi një jetë anakorete (vetmitare, larg botës) për më shumë se 80 vjet. Vdiq, pasi i kishte mbushur të njëqindtat, në vitin 356. Që kur qe gjallë, rendnin tek ai shtegtarë e nevojtarë nga gjithë Lindja, të tërhequr nga fama e shenjtërisë së tij. Edhe Kostantini dhe bijtë e tij i kërkuan këshilla. Shën Atanasi, nxënës i Shën Antonit, ka lënë një jetëshkrim të këtij shenjtori, me të cilin ka ndikuar që të njihej e të bëhej shembull për të gjithë Kishën. U largua nga vendbanimi i tij i vetmuar vetëm dy herë: njërën herë për të ngushëlluar të krishterët e Aleksandrisë, të përndjekur nga Maksimin Daia dhe herën tjetër për t’u bërë thirrje t’i qëndronin besnikë Koncilit të Nikesë.
Më 18 janar përkujtohet Shën Margarita e Hungarisë. U lind në vitin 1242, ndoshta në kështjellën e Turoçit, nga Bela IV, mbret i Hungarisë, dhe nga mbretëresha Maria, me prejardhje bizantine. Në vitin 1242 e çuan në manastirin e Domenikaneve të Shën Marisë, në Ishullin e Lepujve, në Danub, afër Budës, të cilin e kishte themeluar i ati. Këtu merr kushtet në vitin 1254 dhe velin rregulltar në vitin 1261. Margarita dëgjonte vazhdimisht Shkrimin e Shenjtë dhe ndiqte udhëzimet shpirtërore të rrëfyesit të saj, rregulltar domenikan me emrin Marçel, që kishte qenë provincial i Hungarisë. Qe njëra ndër mistiket më të mëdha të mesjetës në Hungari. Vdiq më 18 janar 1270 në kuvendin e Ishullit të Lepujve. Varri i saj u kthye shpejt në vend shtegtimi. Procesi i shenjtërimit filloi në 1271-shin dhe përfundoi në 1943-shin.
Më 19 janar është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.