2014-01-12 10:52:33

Liturgjia e Fjalës së Zotit - Pagëzimi i Jezu Krishtit


Me festën e pagëzimit të Jezusit mbyllet cikli i dëftimeve të Zotit, filluar me Krishtlindjen. Në fillim të shërbesës së vet publike, Jezusi u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Pagëzimi, që merr, për të përmbushur çdo drejtësi, është pagëzim i pendesës, për pastrimin e shpirtit e të jetës. Me këtë rast, Jezusi zbulohet para Gjonit e para popullit të Izraelit, si Mesia i shumëpritur. Populli i Izraelit ishte në pritje. Kjo pritje nuk duronte më, prandaj Ungjilli i Gjonit e shpall si të përmbushur. Prej këndej, ftesa e ngutshme për pendesë, sepse “Ai që do të pagëzojë me zjarr e me Shpirtin e Shenjtë” është tashmë afër. Megjithatë, pranë lumit Jordan, Jezusi dëftohet me një përvujtëri të jashtëzakonshme. Është përvujtëria, që kishte karakterizuar lindjen e tij dhe që do të shenjojë edhe ditët e fundit të ekzistencës së tij tokësore, kur, në dhomën e darkës së fundit, do t’u lajë këmbët apostujve dhe, mbi të gjitha, kur do të shkojë drejt poshtërimit të skajshëm të vdekjes në kryq. Jezusi përzihet me turmën e mëkatarëve, që shkojnë tek Gjoni për të marrë pagëzimin. Në të, Hyji, “i pasur me mëshirë”, “i ngadaltë në zemërim e i madh në dashuri”, tregon afërsinë e vet me mëkatarët dhe me më të fundmit e tokës. Në Jezusin e zbritur në ujrat e Jordanit, Hyji përkulet mbi njerëzimin e vuajtur, të poshtëruar nga mëkati, dhe merr përsipër sëmundjen e tij, i lidh plagët dhe kujdeset për lëndimet e zemrës së tij të copëtuar (khs Is 61,1). Në Jezusin, Hyji solidarizohet me njeriun dhe me gjendjen e tij vdekatare. Për këtë arsye, duke u pagëzuar në Jordan, Jezusi i paraprin në mënyrë simbolike mundimit të vet dhe vdekjes në kryq, të pësuar për ne “kur ishim ende mëkatarë” (khs. Rom 5,8). Ai, në të vërtetë, ka marrë përsipër mëkatet e njeriut, që njeriu të mund të rilindte nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë (Gj 3,5), për të kremtuar lindjen e tij si i shpëtuar. Uji “pastron trupin dhe Shpirti vulos shpirtin. Mund t’i afrohemi Hyjit me trupin e pastruar me ujin e kulluar dhe me zemrën e ujitur nga Shpirti” (Cirili i Jeruzalemit, Katekezat pagëzimore, III, 3-4). Duke dalë nga uji, Jezusi “pa qiejt duke u çarë e duke u hapur, ata qiej që Adami i kishte mbyllur përmbi vete dhe përmbi të gjithë pasardhësit e tij” (Gregori i Naxianxit, Fjalimi 39 për pagëzimin e Zotit). Në jezusin, “plot hir e të vërtetë”, njeriu ka marrë “hir mbi hir” (Gj 1,14.16) dhe ka njohur, më në fund, fytyrën e Atit, sepse “vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar gjen dritën e vërtetë misteri i njeriut... Krishti, që është Adami i ri, pikërisht duke zbuluar misterin e Atit dhe të dashurisë së tij, i zbulon plotësisht vetveten njeriut dhe i shfaq thirrjen e tij më të lartë” (GS 22). Të vërtetën e këtij misteri, që është bërë objekt i riprodhimeve artistike më të ndryshme e të larmishme, e gjejmë në një kanavacë të pikturuar në vitin 2009 nga piktori italian Guido Veroi e nga një bashkëpunëtore e tij.
Piktura përshkruan pagëzimin e Krishtit. Krishti gjendet përballë, në qendër të pikturës, me shikimin e ngulur tek shikuesi. Në të djathtë gjendet Shën Gjoni, që mban në dorë një kallam me një pëlhurë, të ngjashme me një flakë të gjatë, që valëvitet, me mbishkrimin: “Ecce Agnus Dei”, dhe është duke u bërë gati për të hedhur ujë mbi Jezusin. Në të majtën e shikuesit të pikturës gjendet një engjëll, që mban një peshqir, të cilin ia jep Jezusit, simbol i mundimeve që e presin. Figura thatime e Jezusit është e zhytur në ujin e lumit, me duart e bashkuara, sepse Ai është biri i dashur, me të cilin Ati është i kënaqur. Shpirti i Shenjtë, në formën e pëllumbit, zbret mbi të dhe shndrit me dritë të mbinatyrshme të gjithë skenën e përshkruar me ngjyra të gjallërishme. Nga Shpirti buron një “lumë me ujë të gjallë” (Gj 7,38), që shëron dhe ripërtërin jetën, e cila është më e fortë se vdekja. Në pagëzimin e Krishtit, shfaqet “dashuria e madhe që na ka dhënë Hyji”, saqë “quhemi bij të Hyjit” dhe jemi me të vërtetë të tillë (khs 1Gj 3,1). Për këtë arsye ne, qysh tani jemi bijtë e Hyjit, por çfarë do të jemi nuk është zbuluar ende. Megjithatë e dimë se kur ai të zbulohet, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim siç është. Kushdo që e ka këtë shpresë në të, pastrohet, sikurse Ai është i pastër” (1Gj 3,2-3).
Ati zbulon misionin e Birit
Në brigjet e Jordanit, Gjoni predikon heqjen dorë nga mëkati, për të pranuar mbretërinë e Hyjit, që është afër. Jezusi zbret në ujë me turmën, për t’u pagëzuar. Pagëzimi ishte një rit pendestar për hebrenjtë, prandaj kush pagëzohej domethënë se i kishte pranuar mëkatet e veta. Por pagëzimi që merr Jezusi nuk është vetëm pagëzimi për pendesë: zbritja e Shpirtit të Shenjtë dhe dëshmia e Atit i japin një domethënie të saktë. Jezusi shpallet “Biri i dashur” dhe mbi të zbret Shpirti, që e ngarkon me misionin e profetit (ai shpall lajmin e shpëtimit), të meshtarit (ai është flija e vetme e pëlqyeshme për Atin) dhe të mbretit (Mesia i pritur si shpëtimtar).
Pagëzimi i Krishtit është pagëzimi ynë
Ungjijtë e paraqesin pagëzimin e Jezusit si pagëzimin e “popullit të ri të Hyjit”, si pagëzimin e Kishës. Në librin e Daljes, Izraeli është biri i parëlindur, që çlirohet nga Egjipti, për t’i shërbyer Hyjit dhe për t’i kushtuar flinë (Dal 4,22); është populli që kalon mes mureve të Detit të Kuq dhe në shtegun e thatë, përmes lumit Jordan. Krishti është Biri i dashur, që i kushton të vetmen fli të pëlqyeshme Atit; Krishti, që del nga uji, është populli i ri, i çliruar përfundimisht: shpirti jo vetëm që zbret mbi Krishtin, por mbetet me të, “që njerëzit të njohin tek Ai Mesinë, të dërguar për t’u shpallur të varfërve lajmin e gëzueshëm”. Shpirti, që nuk e kishte pasur më banesën mes njerëzve, tani mbetet përgjithmonë, nëpërmjet Krishtit, në Kishë.
Misioni i Krishtit gjendet i përshkruar në figurën e Shërbëtorit të vuajtur të Isaisë. “Shërbëtori i Jahvesë” është ai që mbar mbi vete mëkatet e popullit. Në Krishtin, që i nënshtrohet aktit publik të pendesës, shohim solidaritetin e Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë me historinë tonë. Jezusi nuk rri larg njerëzimit mëkatar, përkundrazi, bashkohet me të, për të shfaqur më mirë misterin e pastrimit të ri dhe angazhimet që burojnë prej tij, si veprimi apostolik.
Në zbulim të pagëzimit personal
Të krishterët e lindur e të mësuar me fenë e Kishës kanë nevojë të zbulojnë madhështinë dhe kërkesat e thirrjes, që buron nga pagëzimi. Është paradoksale që pagëzimit, i cili e bën njeriun gjymtyrë të gjallë të Trupit të Krishtit, nuk i jepet shumë rëndësi në vetëdijen e të krishterit dhe që shumica e besimtarëve nuk e përjetojnë hyrjen në Kishë me anë të pagëzimit si momentin vendimtar të jetës së tyre.
Pagëzimi, që na është dhënë në emër të Krishtit, është shfaqja e dashurisë pararendëse të Atit, pjesëmarrje në misterin e pashkëve të Birit, komunikim i jetës së re në Shpirtin e Shenjtë; ai na bashkon me Hyjin, na integron në familjen e tij; është kalimi nga solidariteti në mëkat tek solidariteti në dashuri. Shpirti i Shenjtë ka ngjallur në Kishë një ndjeshmëri të re për pagëzimin: sot më shumë se kurrë, në bashkësitë e krishtera, jeta e krishterë paraqitet si “përjetim i pagëzimit”. Tek të rriturit ndjehet më shumë nevoja për të përshkuar etapat e pagëzimit dhe për të ripërtërirë përvojën e hirit, që marrim me anë të këtij sakramenti.
Pagëzimi i fëmijëve
Vendimi për të pagëzuar fëmijët është shumë i diskutueshëm sot, jo për vlerën e efekteve që jep tek fëmijët, sa për dobinë e tij në shoqërinë e sotme. Jemi në një epokë të karakterizuar nga pluralizmi dhe nga vlerat e vëllazërisë dhe përgjegjësisë personale. Familja nuk ka më ndikimin përcaktues të dikurshëm; prindërit nuk mund të marrin më vendime përfundimtare për bijtë; shndërrimi i shoqërisë me ritme të shpejta e bën më të vështirë edukimin në fe. Për më shumë, statistikat dhe përvoja tregojnë se një pjesë e mirë e fëmijëve të pagëzuar nuk i marrin mësimet e nevojshme për edukimin në fe. Arsyet pse shumë prindër duan t’i pagëzojnë fëmijët mund të jenë të natyrës shoqërore, për të respektuar traditën familjare apo për shkak të besëtytnive. Zgjidhja e këtij problemi nuk është e lehtë dhe eksperimentimet e kohëve të fundit mund të shkaktojnë keqkuptime, habi e refuzim. Ky problem duhet parë në një kornizë baritore më të gjerë, në të cilën katekeza përgatitore e pagëzimit duhet rishikuar, duke e përfshirë të gjithë familjen në jetën fetare të atij që pagëzohet. Ajo që ka rëndësi nuk është caktimi i datës së pagëzimit të fëmijës, por përgatitja për të jetuar me fe.
Pagëzimi i Jezusit
Nga “Fjalimet” e Shën Gregorit të Nazianzit, ipeshkëv (Fjalimi 36)

Krishti, në Pagëzim, bëhet dritë. Të hyjnë edhe ne në shkëlqimin e tij. Krishti merr pagëzimin. Të hyjmë, me të, në thellësitë e humnerës, që të mund të ringrihemi me të në lavdi. Gjoni jep pagëzimin. Jezusi i afrohet atij, ndoshta për të shenjtëruar atë prej të cilit merr pagëzimin me ujë, por sigurisht edhe për të varrosur përfundimisht nën ujë njeriun e vjetër. E shenjtëron Jordanin para se të na shenjtërojë ne dhe e shenjtëron për ne. E, meqë ishte shpirt e trup, shenjtëron me anë të Shpirti e të ujit.
Gjon Pagëzuesi nuk e pranon kërkesën, por Jezusi ngulmon.
“Unë jam ai që duhet të pagëzohem prej teje” (Mt 3,14), kështu i thotë zhapini diellit; zëri Fjalës; miku dhëndrit; ai, që është më i madhi ndër bijtë e grave, atij që është i parëlinduri para çdo krijese; ai që në barkun e nënës kërceu nga gëzimi, atij që, ende i fshehur në gjirin e nënës, u adhurua prej tij; ai që paraprinte dhe do të paraprinte ende, atij që ishte shfaqur tashmë e do të shfaqej përsëri, kur të vinte koha.
“Unë duhet të pagëzohem prej teje” dhe, shton gjithashtu, “në emrin tënd”. E dinte, në të vërtetë, se do të pagëzohej me anë të martirizimit ose se, si Pjetri, do të lahej i tëri e nuk do të lante vetëm këmbët.
Jezusi del nga ujërat e mbart me vete tërë kozmosin. I sheh qiejt e shqyer e të hapur, ata qiej që Adami i kishte mbyllur mbi vete e mbi pasardhësit e tij, ata qiej të mbyllur e të ndryrë, siç ishte e mbyllur parajsa, me shpatën e përflakur.
Dhe Shpirti dëshmon hyjninë e Krishtit: paraqitet simbolikisht sipër atij me të cilin është krejtësisht i barabartë. Nga thellësitë e qiejve del një zë, po nga ato thellësi prej së cilës vinte edhe Ai që po merrte dëshminë.
Shpirti i Shenjtë shfaqet si pëllumb dhe, në këtë mënyrë, nderon edhe trupin e hyjnizuar, pra Hyjin. Nuk duhet harruar se shumë kohë më parë një pëllumb e kishte lajmëruar përfundimin e përmbytjes.
Ta nderojmë, pra, në këtë ditë, pagëzimin e Krishtit, dhe ta kremtojmë si duhet këtë festë. Dëliruni krejtësisht dhe përparoni në këtë dëlirësi. Hyji nuk gëzohet për asgjë më shumë sesa për ruajtjen e shpëtimit tek njeriu. Për njeriun janë shqiptuar të gjitha fjalët hyjnore dhe për të janë përmbushur misteret e zbulimit. Gjithçka është bërë që ju të mund të bëheni si diej, forcë plot jetë për njerëzit e tjerë. Jini drita të përsosura përballë asaj drite të pafundme. Do të mbusheni me shkëlqimin e tij të mbinatyrshëm. Do të mbërrijë tek ju, e kulluar dhe e drejtpërdrejtë, drita e Trinisë, prej së cilës deri tani nuk keni marrë veçse një rreze, që buron nga Hyji i vetëm, përmes Krishtit Jezus, Zotit tonë, të cilit i takon lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.