2014-01-11 17:05:36

Papa: lidhja me Jezu Krishtin i shpëton meshtarët nga mendësia e botës dhe nga idhujtaria e ‘perëndisë Narciz’


Meshtari i vërtetë, i lyer me vaj nga Zoti, për popullin e vet, ka lidhje tejet të ngushtë me Jezusin: kur kjo mungon, prifti bëhet “i përlyer’, idhujtar, i devoçëm i ‘hyjnisë Narciz’, domethënë, i dashuruar me vetveten, deri në idhujtari. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën e sotme, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës. Bashkëkremtuan kardinali Anxhelo Banjasko dhe një grup meshtarësh të kryedioqezës së Gjenovës.RealAudioMP3

Homelia e Papës iu kushtua plotësisht meshtarëve. Duke komentuar Letrën e parë të Shën Gjonit, atje ku thotë se kemi jetën e pasosur, sepse besojmë në emrin e Jezu Krishtit, Papa u ndalua pikërisht tek lidhja e meshtarëve me Jezusin, sepse forca e meshtarit është pikërisht në këtë lidhje. Jezusi, kur fitonte shumë popullaritet, nënvizoi Papa, shkonte tek Ati, tërhiqej në vende të shkreta, për t’u lutur. E ky është pak a shumë guri i provës për ne, meshtarët, pohoi, “shkojmë a nuk shkojmë ta takojmë Jezusin? Cili është vendi i Jezu Krishtit në jetën time meshtarake? Është lidhje e gjallë, e dishepullit me Mjeshtrin, e vëllait me vëllain, e njeriut të mjerë me Hyjin, apo është lidhje paksa artificiale, që nuk del nga zemra, për të hyrë në zemër?”:
“Ne jemi të lyer me vaj nga Shpirti Shenjt e, kur meshtari largohet nga Jezusi, mund edhe ta humbasë mirosjen. Në jetën e tij, jo: qenësisht e ka...por e humbet. E në vend që të jetë i lyer, shkon e bëhet i përlyer. E sa dëm i bëjnë Kishës meshtarët e përlyer! Ata, që e vënë forcën e tyre në shërbim të gjërave artificiale, në shërbim të kotësive, me një sjellje… me një gjuhë të spitulluar… E sa herë dëgjojmë të thuhet, me dhimbje: ‘Po ky është meshtar-flutur! Gjithnjë i zhytur në kotësi…. Nuk ka lidhje me Jezu Krishtin! E ka humbur lyerjen me vaj, është i përlyer”.
Kështu u shpreh Papa, e shtoi:
“Ne, meshtarët, kemi shumë kufizime; jemi mëkatarë, të gjithë. Por nëse shkojmë tek Jezu Krishti, nëse e kërkojmë Zotin në lutje, lutje ndërmjetësimi, lutje adhurimi, jemi meshtarë të mirë, ndonëse mëkatarë. Por nëse largohemi nga Jezu Krishti, duhet ta paguajmë këtë me sjellje të tjera...me punë sipas mendësisë së botës. E kështu, shikojmë figura të tjera… edhe prift-afarist, prift sipërmarrës… Po prifti, që adhuron Jezu Krishtin; prifti, që flet me Jezu Krishtin; prifti, që kërkon Jezu Krishtin e që e lë Jezu Krishtin ta kërkojë: kjo është qendra e jetës sonë. Nëse nuk është kjo, humbasim gjithçka. E ç’mund t’u japim, atëhere, njerëzve?”.
U thelloftë gjithnjë më shumë në shpirtin tonë, uroi Papa, lidhja me Jezu Krishtin, lidhje e të shuguruarve për popullin e Tij. Për ditë e më shumë:
Por është gjë e bukur të gjesh priftërinj, që e dhuruan jetën si meshtarë, e bukur vërtet, meshtarë. E për ta njerëzia thotë: ‘Vërtet ka një karakter të vështirë, ka këtë e atë… veç, është meshtar!’. E njerëzia ka nuhatje të hollë. Ndërsa kur njerëzit shikojnë priftërinj, të themi, idhujtarë, të cilët në vend të Jezusit, kanë në zemër idhuj të vegjël, të vegjël… disa madje janë edhe idhujtarë të hyjit ‘Narciz’… kur njerëzit i shikojnë këta, njerëzit thonë: ‘Qyqari!’. Ajo që na shpëton nga mendësia e botës e nga idhujtaria, që na bën të shuguruar, që na e ruan vajin me të cilin u lyem, është lidhja e ngushtë me Jezu Krishtin. E sot, ju që patët mirësinë të vini për të bashkëkremtuar këtu, me mua, ju uroj këtë: humbeni gjithë jetën tuaj, por jo lidhjen me Jezu Krishtin. Kjo është fitorja juaj. E, përpara me këtë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.