Papa priti fisnikët e fronmbajtësit: t’i shërbeni Kishës pa u dukur, u tha
Papa Françesku priti sot paradite, fisnikët e Shenjtërisë së Tij dhe fronmbajtësit
papnorë, të shoqëruar nga familjarët. Të dyja palëve, në audienca të ndryshme, Ati
i Shenjtë u shprehu mirënjohjen për shërbimin ndaj Kishës e Vatikanit dhe i nxiti
ta vazhdojnë punën, pa e njollosur qëndrimin e tyre me sjelljet e kësaj bote.
Kujtojmë se
“fisnik” i Shenjtërisë së Tij është titulli më i lartë i nderit, që u jepet laikëve
nga Vatikani, ndërsa “fronmbajtësit”, apo “sediarët” papnorë kanë origjinë më të lashtë,
madje janë anëtarët e vëllazërisë më të vjetër të Romës, kushtuar shën Anës në vitin
1378. Fisnikët kanë për detyrë të shoqërojnë personalitetet, në vizitë në Selinë e
Shën Pjetrit, siç parashikohet nga Motu Proprio i Papës Pali VI, i cili e themeloi
këtë titull në vitin 1968. Atyre, Ati i Shenjtë u tha me ç’frymë duhet ta kryejnë
këtë shërbim: “Ashtu siç e thotë emri juaj, për këtë detyrë nevojitet finsikëri
e mirësjellje, të cilat shërbejnë për t’i pritur njerëzit me dashamirësi. Këto cilësi
njerëzore i kanë rrënjët e tyre lashta në një jetë të gjallëruar nga feja, e cila
jep dëshminë e koherencës ungjillore, pa e njollosur me sjellje të kësaj bote”. Tashmë
jemi në përfundim të kohës së Krishtlindjes, vazhdoi Papa Françesku, por akoma ndjehemi
të gjithë të prekur nga mrekullia e Zotit bërë fëmijë në Shpellën e Betlehemit. Kjo
gjendje shpirtërore, nënvizoi, duhet të na karakterizojë gjithnjë, jo vetëm për Krishtlindje: “Të
jemi të vëmendshëm e të lutemi që kjo dritë e brendshme të mos shuhet, që të sjellim
në jetën tonë të përditshme, familjare e profesionale, gëzimin e fesë, i cili shprehet
përmes bamirësisë, mirëdashjes, butësisë”.
Më pas, Papa Bergolio u takua
edhe me fronmbajtësit papnorë, të cilët dikur kishin për detyrë të mbanin fronin e
Papës, ndërsa tani të presin njerëzit, që i bëjnë vizitë Atit të Shenjtë e ta ndihmojnë
atë të ecë, në rast nevoje. Misteri i lindjes së Jezusit, u tha atyre, na nxit të
dëshmojmë në jetë frymën e përvuajtërisë, të thjeshtësisë e të shërbimit, që na ka
mësuar Zoti ynë. Nëse puna kuptohet në këtë mënyrë, mund të kthehet në një lloj apostullimi,
që transmeton gëzimin e të qenit të krishterë. Papa vuri në dukje idealet, që frymëzojnë
punën e sediarëve: dashuria për Kishën, mikpritja, durimi, qetësia e butësia në sjellje.
Të gjitha këto, theksoi Ati i Shenjtë, janë një kartvizitë e mirë për ata, që hyjnë
në Pallatin Apostolik për të takuar Pasardhësin e Shën Pjetrit: “Për të gjitha
këto ju falenderoj me përzemërsi, me të vërtetë! Ju falenderoj përzemërsisht dhe e
ndjej veten në borxh me ju. Ju falenderoj edhe për ëmbëlsinë me të cilën merrni fëmijët
për t’i sjellë tek unë, gjatë audiencave publike. E kam pyetur njërin prej jush: ‘Po
ti, sa fëmijë ke? Sepse di si t’i mbash, eh? Shihet qartë!”