2014-01-10 13:56:56

Kardinali Turkson me Universitetet Katolike të Filipineve: të formojmë katolikë të aftë për të ungjillëzuar botën


Kërkimi, angazhimi shoqëror, arsimi: këto janë tre synimet për të cilët duhet të punojnë Universitetet Katolike, nëse duan të formojnë politikanë në gjendje për të ungjillëzuar botën. Në këtë pikë e vuri theksin dje kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, Kardinali Turkson, gjatë konferencës kombëtare të Shoqatës së Universiteteve Katolike të Filipineve, në Davao City. Konferenca, që filloi dje e do të mbyllet të shtunën, i kushtohet 50-vjetorit të enciklikës së Gjonit XXIII Pacem in terris.
Kardinali Turkson trajtoi temën “Formimi i katolikëve të angazhuar në politikë: misioni i universiteteve katolike”. “Puna kërkimore nëpër universitete – tha kardinali – duhet t’i kushtohet metodës së zgjidhjes së problemeve, që e kërcënojnë bashkëjetesën dhe mirëqenien njerëzore”. Parimi themelor, megjithatë, mbetet ai i kërkimit të së vërtetës, falë të cilës mund “ta lexojmë e ta interpretojmë realitetin, për të parë mirë nevojën për drejtësi shoqërore, në kontekstet konkrete”.
Për sa i përket angazhimit shoqëror, Kardinali Turkson tha se ai përfaqëson “ushtrimin e domosdoshëm të përgjegjësisë së universiteteve përballë shoqërive, në të cilat gjenden”. Universitetet janë vendi më i mirë për dialog, sepse pikëpamjet më të ndryshme, që rrihen brenda tyre, mund të ndihmojnë për kërkimin e të mirës së përbashkët, sipas udhëzimeve të Doktrinës Shoqërore të Kishës. Për këtë arsye – tha kardinali – universitetet mund të formojnë katolikë të mirë, të cilët do të bëhen politikanë të mirë”, sepse ato “mund të luajnë një rol jetik për mbajtjen gjallë të marrëdhënieve dhe dinjitetit njerëzor, duke u ofruar mundësi për përsiatje atyre që janë të përfshirë në sektorin politik”. Së fundi, për sa i përket synimit të tretë, atij të arsimimit, kryetari i dikasterit vatikanas nënvizoi se “Universitetet duhet t’u mësojnë brezave të rinj, të mendojnë në mënyrë kritike dhe me maturi”; duhet “t’i lënë vend imagjinatës intelektuale, përtej logjikave të tregut”; kanë për detyrë “t’i ndihmojnë njerëzit për ta kapërcyer ndarjen e fesë nga jeta, fakt që, për fat të keq, e karakterizon kohën tonë”. Universitetet, pra, duhet “të harmonizojnë vlerat shpirtërore dhe elementet shkencorë, teknikë e profesionalë”, për të krijuar njerëz kompetentë, “politikanë plot gjakim, të përgatitur e të guximshëm në ushtrimin e tërësishëm të thirrjes së tyre në shërbim të së mirës së përbashkët”. Sipas kardinalit Turkson, të jesh politikan katolik do të thotë “të jesh mbartës i Ungjillit në botë dhe të ungjillëzosh rendin shoqëror, si tharm”.
Kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe u ndal pastaj tek Pacem in terris, veçanërisht mbi bashkëjetesën politike, të përshkruar në enciklikë si fryt i dinjitetit dhe i marrëdhënieve njerëzore. E gjitha, në optikën e të mirës së përbashkët, sepse “një sistem politik i shëndoshë është në shërbim të jetës shoqërore të njeriut dhe ka për synim të bëjë të mundur, që kjo jetë të karakterizohet nga marrëdhëniet e dashurisë dhe të drejtësisë”. Kardinali i kushtoi një vëmendje të veçantë “vendimit për të parapëlqyer të varfrit”, si një ndër përparësitë që duhet të ketë politika, “me qëllim që nevojat e atyre që kanë më pak të jenë të parat, gjatë proceseve ligjvënëse dhe politike”.
Politika si e tillë, tha kardinali, nuk është negative, por bëhet negative kur politikanët lejojnë skandalet dhe korrupsionin, duke dhënë, kështu, një imazh negativ për këtë sektor të jetës shoqërore. Nuk është befasuese që të krishterët janë larguar nga politika, ose që “politikanët katolikë e ruajnë fenë për jetën private dhe nuk e ndajnë me të tjerët”. Politika duhet të jetë “ungjillëzimi i rendit shoqëror dhe përhapja e qytetërimit të dashurisë”, që do të thotë “pjesëmarrje e Kishës në jetën e shoqërisë, me të gjitha sfidat e rastit”. Në përfundim kardinali Turkson kujtoi Lumnitë e politikanit shkruar nga paraardhësi i tij, Kardinali i ndjerë François-Xavier Van Thuan: “Lum politikani që ka vetëdijen e thellë për rolin e vet; që jep shembullin e njeriut të besueshëm; që punon për të mirën e përbashkët, e jo për interesin vetjak; që është besnik ndaj vetes, ndaj fesë së vet dhe ndaj programit zgjedhor; që punon për bashkimin dhe për realizimin e ndryshimit rrënjësor, pa e kufizuar fenë në sferën private; që di të dëgjojë popullin, ndërgjegjen e vet dhe Hyjin; që nuk ka frikë nga e vërteta e mass-mediave, sepse, në ditën e gjykimit, e di se do të përgjigjet vetëm para Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.