Persekutimi kundër të krishterëve vijon të shtohet. Për këtë flet, me emra, shifra
e fakte, Treguesi botëror i persekutimeve 2014, që klasifikon 50 vende, me problemet
më të mprehta në këtë drejtim. Treguesi u realizua nga shoqëria Portes ouvertes France,
organizatë jo qeveritare, që ndihmon të krishterët e persekutuar. Gjatë një konference
shtypi, mbajtur në Paris, drejtori Michel Varton, saktësoi se me fjalën persekutim
kuptohet jo vetëm ushtrimi i dhunës fizike, por edhe i presioneve, ndalesave, diskriminimit,
lidhur me motive fetare. Shoqatë apolitike, themeluar në vitin 1976, Portes ouvertes
France, e realizon Treguesin që nga viti 1997.
Në vitin 2013, lexojmë në Treguesin
e Organizatës jo qeveritare, u vërejt shtimi i përgjithshëm i persekutimit. Në Afrikë,
posaçërisht në brezin e Sahielit, mbi të krishterët u dynd një dimër i akullt, pikërisht
në vendet, që gëzuan pranverën e shkurtër arabe. Vjen, më pas, Koreja e Veriut që,
sipas treguesit, për të dymbëdhjetën herë radhitet e para në listën e vendeve, ku
të krishterët jetojnë në kushtet më të rrezikshme e, natyrisht, edhe më të vështira
ekonomike, kulturore e, sidomos, shpirtërore. Vendin e dytë e zë Somalia, ku farë
e fise myslimanësh vijojnë t’i persekutojnë të krishterët. Situata nuk është përmirësuar
aspak në viset, kur pati nisur të fryjë flladi i pranverës arabe. Në Siri e në Egjipt,
sidomos. Siria kalon nga vendi i 11-të, në vendin e tretë të listës për persekutime
fetare. Ndërsa zë vendin e parë për numrin e të krishterëve të vrarë (më shumë se
Nigeria, sipas lajmeve të shtypit). Vjen, pastaj, Egjipti, vend ku të krishterët pësuan
e vijojnë të pësojnë, më shumë dhunë se kudo tjetër. Ekstremizmi islamik shikohet
si faktori më tinzak. Shtimi i persekutimeve vërehet sidomos në shtetet e qeverisura
nga forca politike, të cilat ngurrojnë ta luajnë rolin, që u takon, për t’i dhënë
fund dhunës. Kujtojmë, në këtë drejtim, Somalinë, Sirinë, Irakun, Afganistanin, Pakistanin,
Jemenin, e tani, edhe Republikën Qendroafrikane. Vende të tjera, në të cilat të
krishterët janë nën presion të vazhdueshëm: Maldivet, Arabia Saudite, Irani, Libia,
Uzbekistani, Katari. Gjithë këto histori aktuale persekutimi, që përfshijnë qindra
mijëra jetë të humbura tragjikisht, për botën; të dhuruara, për Krishtin, na i tregon
Shoqata apolitike, e themeluar më 1976, Portes Ouvertes France!