2014-01-09 15:11:56

Papa Françesku: dashuria e krishterë, konkrete e bujare, nuk është ajo e telenovelave


Dashuria e krishterë ka si karakteristikë të jetë gjithnjë konkrete. Është, pra, dashuri, që shprehet më shumë me vepra, sesa me fjalë. Që di të japë, më shumë sesa të marrë. E pohoi sot paradite Papa Françesku, në homelinë e Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Kurrfarë romantizmi të sëmurë, sentimentalist: ose është dashuri vetmohuese, që shpërvjel mëngët e kërkon t’i ndihmojë të varfërit, që i pëlqen më shumë të japë, sesa të marrë, ose nuk ka të bëjë fare me dashurinë e krishterë. Papa Françesku e përkufizoi krejt qartë dashurinë e krishterë, për të cilën foli, duke u mbështetur mbi fjalët e Letrës së Parë të Shën Gjonit, ku Apostulli përsërit me ngulm: “Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne. Hyji është Dashuri e kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin e Hyji mbetet në të”. Përvoja e fesë, vërejti Papa, duhet parë pikërisht në këtë “mbetje të dyfishtë”:
“Ne në Hyjin e Hyji në ne: kjo është jeta e krishterë. Të mos mbetemi në shpirtin e botës. Të mos mbetemi në cektësi. Të mos mbetemi në idhujtari. Të mos mbetemi në kotësi. Jo, jo, duhet të mbetemi në Zotin. E ai na e shpërblen këtë: Ai rri në ne. Por, i pari mbetet Ai në ne. Shpesh herë e dëbojmë e nuk mund të rrimë në Të. Është shpirti, ai që mbetet në Të”.
Si e sqaroi dinamikën e shpirtit, që e vë në lëvizje dashurinë e krishterë, Papa Françesku nisi të shqyrtojë mishin e gjakun. Të mbetesh në dashuri, pohoi, nuk është thjesht ekstazë e zemrës, gjë e bukur për t’u dëgjuar:
“Shikoni se dashuria, për të cilën flet Gjoni, nuk është dashuri telenovelash. Jo, është krejt tjetër. Dashuria e krishterë ka përherë një cilësi: konkretësinë. Dashuria e krishterë është konkrete. Vetë Jezusi, kur flet për dashurinë, flet për gjëra konkrete: për të shujtuar të uriturit, për të vizituar të sëmurët, e shumë e shumë gjëra të tjera, të gjitha konkrete. Dashuri konkrete. Konkretësi kristiane. E kur mungon kjo konkretësi, jetohet një kristianizëm iluzionesh, sepse nuk kuptohet si duhet ku është qendra e mesazhit të Jezusit: është dashuri iluzionesh, si iluzionet që patën dishepujt kur, duke e parë Jezusin, patën kujtuar se ishte fantazmë”.
Fantazma është ajo që, në episodin e Ungjillit të sotëm, dishepujt e shikojnë, të tmerruar e të mrekulluar, nësa vinte drejt tyre, duke ecur mbi det. Po çudia e dishepujve lind nga zemërngurtësia, sepse, na kujton Ungjilli, nuk e kishin kuptuar shumëzimin e bukëve, që kishte ndodhur vetëm pak çaste më parë. Në se ti e ke zemrën të bërë gur, komentoi Papa Françesku, nuk mund të duash e mendon se dashuri do të thotë t’i përfytyrosh gjërat, e jo t’i prekësh me dorë. Kjo nuk është dashuri. Dashuria është konkrete. E kjo konkretësi, shtoi Papa, bazohet mbi dy kritere:
Kriteri i parë: të duash me vepra, jo me fjalë. Fjalët i merr era! Sot janë, nesër s’janë. Kriteri i dytë i konkretësisë është: në dashuri ka më shumë rëndësi të japësh, sesa të marrësh. Ai, që do vërtet, jep, jep… jep gjëra, jep jetën, jep vetveten. Ia jep Zotit e të tjerëve. Ndërsa ai, që nuk do, ai që është egoist, që do vetëm vetveten, kërkon gjithnjë vetëm të marrë, të ketë sa më shumë gjëra, sa më shumë përfitime. Të mbetemi me zemër të hapur, jo si zemra e dishepujve, që ishte e mbyllur e, prej këndej, nuk kuptonin gjë prej gjëje: të mbetemi në Zotin, e Zoti në ne; të mbetemi në dashuri!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.