2014-01-08 13:50:20

Në Siri, ndeshje ndërmjet rebelëve dhe milicëve xhihadistë. Fillon transferimi i armëve kimike


Në Siri, ndeshjet ndërmjet rebelëve dhe milicëve kaedistë të Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes marrin përmasa gjithnjë e më serioze. Fillimisht, milicët u rreshtuan kundër regjimit të Bashar al-Asadit, por tani janë në konflikt edhe me kryengritësit. Sipas disa burimeve, ata janë autorët e masakrimit të rreth 50 të burgosurve civilë në Haleb dhe të kërcënimeve për vrasjen e krerëve të opozitës së moderuar. Të dëgjojmë gazetarin e agjencisë italiane ANSA, Lorenzo Trombetta, me telefon nga Beiruti:RealAudioMP3
Milicët e Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes përfaqësojnë grupin e Al Kaedës në Irak dhe, që nga viti i kaluar, kanë gjetur terren të përshtatshëm në lindje, në veri e në verilindje të Sirisë. Pak ditë më parë, kryeministri irakian Nouri al-Maliki urdhëroi të fillojë ofensiva kundër manifestuesve vendas sunitë në al-Anbar. Që nga ky çast, pas hapjes së këtij fronti, revolta e armatosur nisi sërish dhe Al Kaeda, ta pret mendja, përpiqet të përfitojë.
Ndërkaq, filloi operacioni i transferimit të armëve kimike siriane, që do të shkatërrohen muajt e ardhshëm. Një anije daneze mori ngarkesën e parë në portin e Latakias, por pret në ujërat ndërkombëtare, së bashku me anije të tjera, që brenda pak ditësh, ngarkesa të plotësohet.
Njihet mirë polemika për vendin ku do të shkatërrohen armët kimike, në të cilën u përfshi gjerësisht edhe Shqipëria. Fillimisht, qeveria e Tiranës pati dhënë pëlqimin e vet për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar, por pas zgjedhjeve të fundit, gjendja u përmbys. Por ku do të shkatërrohen? Mbetet akoma mister. Një pjesë e armëve, rreth 700 tonelata sipas agjencive të shtypit, duhet të kalojnë në anijen amerikane Cape Ray, e cila ka pajisje moderne për shkatërrimin e elementeve si sarin e iprit. Italia, siç dihet, ka ofruar një port për këtë operacion, por akoma nuk dihet ku. Sipas BBC-së, shkatërrimi do të bëhet në ujërat mesdhetare ndërkombëtare, para Libisë. Ndërkaq, 150 tonelata të tjera do të shkatërrohen në Britaninë e Madhe. Armët e sotme vijnë nga dy qendra, të cilat nuk janë bërë të njohura, por numri i përgjithshëm i depove për t’u zbrazur është 12. Faza e parë e operacionit duhet të përfundojë më 31 mars, ndërsa e dyta dhe e fundit, më 30 qershor.
Në planin politik, të dielën, mblidhen në Paris ministrat e jashtëm të 11 vendeve mike të Sirisë, të cilët do të takohen me anëtarët e Koalicionit Kombëtar Sirian, dhjetë ditë para Konferencës “Gjeneva 2”, e cila do të mbahet më 22 janar në Montreux të Zvicrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.